Hamasi do të lirojë disa pengje të tjera të enjten, duke përfshirë Arbel Yehoud, pasi ra dakord me Izraelin që palestinezët e zhvendosur do të lejohen të kthehen në Gazën veriore nga sot.
Do të lirohen edhe dy pengje të tjera, përfshirë ushtarin Agam Berger, sipas zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ndërsa tre të tjerë do të lirohen të shtunën sipas marrëveshjes së re.
Bëhet e ditur se Hamasi i dha qeverisë një listë që tregon statusin e të gjithë pengjeve që do të liroheshin në fazën e parë të armëpushimit.
Në këmbim, palestinezët e zhvendosur në Gazën jugore janë lejuar të kthehen në zonat veriore, shkruan skynews.
Izraeli gjithashtu do t’i japë Hamasit një listë me 400 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, të cilët janë arrestuar që nga 7 tetori 2023, sipas një zëdhënësi të ministrisë së jashtme të Katarit.