Ambasada e SHBA-së në Shkup ka njoftuar të gjitha OJQ-të dhe organizatat që kanë realizuar ose janë në proces të realizimit të projekteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), se duhet të ndërpresin menjëherë aktivitetet e tyre dhe të ndalojnë pagesat, në përputhje me urdhërin ekzekutiv të Presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Ky urdhër ka ngrirë ndihmat e huaja për një periudhë 90 ditore për të gjitha vendet, përveç Izraelit dhe Egjiptit.
Në këtë kontekst, është anuluar gjithashtu takimi i planifikuar për 30 janar me përfaqësues të televizioneve, i organizuar nga Këshilli Etik për Media në RMV, lidhur me procesin e avancimit të Kodeksit të Gazetarëve.
“Para pak çasteve morëm lajmin nga SHGM-ja se donatori i këtij projekti, Organizata Ndërkombëtare – IREKS, ka kërkuar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve për realizimin e projektit. Ky vendim vjen si pasojë e politikës së re të administratës amerikane, e cila ka vendosur të ngrijë dhe të revizionojë thuajse të gjitha ndihmat që ofrohen nga SHBA nëpër botë për një periudhë 90 ditore”, thuhet në njoftimin e Këshillit Etik për Media në RMV.