Protestat e studentëve në disa qytete të Serbisë morën “kokën e parë” politike. Dorëhiqet kryeministri serb Millosh Vuçeviç. Dorëheqja e tij vjen një ditë pas protestës së Novi Sadit ku pas përleshjes fizike u lëndua një studente.
“Unë mendoj se kjo politikë që unë i përkas, pala e cila ka fituar në të gjitha zgjedhjet që nga vitit 2012, presidenciale, parlamentare e lokale, duhet të tregojë nivel të përgjegjësisë dhe dëshmojë se është më e përgjegjshmja dhe për këtë arsye pas ndodhive në Novi Sad, vendimi im është që të jap dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Serbisë. Në mëngjes kam pasur takim të gjatë me presidentin, kemi biseduar për gjithçka dhe ka pranuar vendimin tim dhe argumentet e mia dhe me këtë tregojmë përgjegjësinë nga ata që janë të votuar të jenë përgjegjës, që ajo të mos kalojë në rrugë, përplasje mes qytetarëve, ndarja e shoqërisë, por këtë përgjegjësi ta marrin politikanët që në këtë mënyrë të dëshmojnë se janë të gatshëm të ulin tensionet, të kthehen të gjithë në bisedime, të gjejnë zgjidhje, e cila do të jetë më e mira për Serbinë e jo për ndonjë palë tjetër, shtet apo interes tjetër”, tha Millosh Vuçeviq, Kryeministër në dorëheqje i Serbisë.
Pos Vuçeviçit, është dorëhequr edhe kryetari i komunës së Novi Sadit. Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
“Ne jemi këtu për një qëllim të përbashkët. Lufta për liri, për shtetin e së drejtës, bashkimi dhe dashuria duhet të kapërcejnë gjithçka dhe besoj se një forcë, qetësi dhe këmbëngulje e tillë do ta mposhtë gjithë këtë të keqe aktuale”, u shpreh Milos Zivanoviç, protestues.
“Ne erdhëm për të mbështetur studentët, për të ngulmuar deri në fund dhe për të mposhtur këtë regjim të neveritshëm”, tha Marko Trkulja, protestues.
Studentët kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet./ Alsat.mk