LajmeMaqedoni

PUNA SEZONALE: Ku fitohet më shumë, në RMV apo jashtë?

Puna sezonale vitet e fundit është bërë një zgjedhje gjithnjë e më popullore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht për rinjtë, të cilët kërkojnë të ardhura shtesë ose punësim të përkohshëm. Disa prej tyre mbeten në vend, të angazhuar në bujqësi, turizëm dhe hoteleri, ndërsa të tjerë mundësinë e shohin jashtë vendit, të tërhequr nga të ardhura më të larta dhe kushte më të mira të punës.

Puna sezonale në Maqedoninë e Veriut më së shumti lidhet me vjeljen e frutave dhe perimeve, punën në kafene dhe restorante në rajonet turistike, ndërsa paga mesatare ditore për angazhime të tilla sillet nga 800 deri në 1500 denarë, varësisht nga lloji i punës, punëdhënësi dhe rajoni. Një studente 24 vjeçare nga Prilepi, e cila për të tretin vit me radhë punon në një nga vreshtat në Tikvesh, tha se puna është e vështirë, sidomos gjatë vapës së verës, por që paga është e mirë.

“Në një muaj të mbarë mund të fitoj deri në 30.000 denarë, që për një studente si un janë të ardhura shtesë solide”, shprehet ajo.

Megjithatë, kjo lloj pune nuk është gjithmonë tërheqëse. Shumë punëtor sezonal ankohen për kushte të vështira, orar të zgjatur dhe mungesë të drejtave, pasi shpesh punojnë ilegalisht pa kontratë. Krejt ndryshe është situata për ata që largohen për punë sezonale jashtë vendit. Vende të tilla si Gjermania, Austria, Zvicra dhe Italia ofrojnë paga të larta për punëtorët në bujqësi, turizëm dhe mikpritje. Sipas përvojave të shumë njerëzve, paga ditore në këto vende varion nga 80 deri 120 euro, ndonjëherë edhe më shumë.  Një punëtor ndërtimi nga Kumanova, i cili vitin e kaluar ka punuar si mbledhës mollash në Gjermani thotë për mediat se për tre muaj ka arritur të kursejë mbi 4000 euro.

“Puna është e vështirë fizikisht, por disiplina dhe organizimi janë në nivel të lartë. Punonim 20 deri 12 orë në ditë, por rroga ishte e rregullt dhe punëdhënësi na siguronte edhe akomodimin”, thekson ai.

Megjithëse të ardhurat jashtë vendit janë dukshëm më të larta, shumë punëtorë përballen me një sërë sfidash. Ndarja nga familja, pengesat gjuhësore dhe dallimet kulturore janë vetëm disa nga pengesat. Për më tepër, kostoja e lartë e jetesës ne disa vende redukton potencialin e kursimeve.

“U largova për të ardhura më të mira, por nuk e prisja që do të më mungonte përditshmëria në shtëpi me familjen time”, thotë A.P. i cili punonte si kamerier në një hotel në Itali.

Puna sezonale, qoftë në Maqedoni apo jashtë saj, ofron mundësi për të ardhura shtesë, por kërkon sakrifica të caktuara. Për shumë është një zgjidhje e përkohshme për sfidat financiare, ndërsa për të tjerët është një shans për përvoja të reja dhe një të ardhme më të mirë. Por, përpara se të marrë një vendim, çdo punëtor duhet të vlerësojë përfitimet dhe rreziqet dhe të përgatitet mirë për kushtet që sjell puna sezonale. \ Koha\

 

Show More

Related Articles

Back to top button