BotaLajme

Vazhdojnë operacionet e kërkimit dhe hetimet në zonën ku u përplas avioni me helikopterin në Uashington

Një sërë agjencish amerikane po hetojnë shkakun e përplasjes në ajër të një avioni pasagjerësh të kompanisë American Airlines dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura të mërkurën vonë, pranë Uashingtonit.

Nuk ka asnjë të mbijetuar mes 60 pasagjerëve dhe 4 anëtarëve të ekuipazhit në fluturimin e kompanisë American Airlines, që po kryhej nga kompania e lidhur me të PSA Airlines dhe mes tre pjesëtarëve të ushtrisë amerikane që gjendeshin në helikopterin Black Hawk UH-60, njoftuan të enjten zyrtarët federalë dhe lokalë.

Të dy mjetet ajrore ranë në lumin Potomak, afër aeroportit kombëtar Reagan, në dalje të Uashingtonit, në qytetin Arlington, të Virxhinias.

Operacionet e kërkimit po vazhdojnë. Është aksidenti ajror më vdekjeprurës në SHBA që nga viti 2001.

Të paktën 28 trupa u nxorrën nga ujrat e akullta të lumit Potomak pasi helikopteri mesa duket fluturoi në trajektoren e avionit të mërkurën vonë, ndërsa aeroplani po bënte uljen pranë aeroportit “Ronald Reagan” në Uashington, thanë zyrtarët.

Në helikopter gjendeshin tre pjesëtarë të Forcave të Armatosura.

“Nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar”, tha John Donnelly, shefi i Departamentit të Zjarrëfikëses. “Tani jemi në pikën ku po kalojmë nga një operacion shpëtimi në një operacion kërkimi”, shtoi ai.

Sekretari i Transportit Sean Duffy, i cili iu bashkua Presidentit Donald Trump për një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë lidhur me përplasjen, tha se si avioni dhe helikopteri kishin qenë në “fluturime të planifikuara”, para se të përplaseshin.

Gjatë konferencës për shtyp, Presidentit Trump kërkoi të mbahej një minutë heshtje për viktimat dhe tha se çdo burim në nivel lokal, shtetëror dhe federal ishte vënë në dispozicion të operacionit të kërkimit.

Zoti Trump tha se Bordi i Sigurisë së Transportit Kombëtar po drejtonte hetimet lidhur me shkaqet e përplasjes dhe se për këtë do të angazhohet edhe Administrata Federale e Aviacionit dhe një njësi hetimore e aviacionit ushtarak amerikan.

Zoti Trump po ashtu sugjeroi se administratat e mëparshme, të drejtuara nga Presidentët demokratë Barack Obama dhe Joe Biden, kishin ulur standardet për punësimin e kontrollorëve të trafikut ajror duke cituar nismat e qeverisë federale për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Ai tha se anuloi këto nisma përmes urdhrave ekzekutivë që firmosi javën e shkuar.

Sa i përket kontrollorëve të trafikut ajror, zoti Trump tha se “kemi nevojë për më të shkëlqyerit, më të mençurit, dhe më të mprehtët. Kemi nevojë për njerëz që janë psikologjikisht superiorë dhe kështu do t’i kemi” tha ai.

Zoti Trump tha se ka mundësi që gabimi të ishte bërë nga ekuipazhi i helikopterit por se kjo do të zbulohej nga hetimet. Kur u pyet se si arrinte në përfundimin se nisma e diversitetit kishte ndikuar tek përplasja, ai u përgjigj “sepse kam gjykim të arsyeshëm bazuar në një perceptim të thjeshtë të situatës”.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth po ashtu foli në konferencën e shtypit. Ai tha se helikopteri i Forcave të Armatosura po kryente një fluturim stërvitor vjetor dhe se “tragjikisht, u bë një gabim. Ka një problem që lidhet me lartësinë dhe kemi nisur hetimet”, tha ai.

Dy mjetet ajrore u përplasën ndërsa avioni i pasagjerëve po i afrohej pistës dhe u rrëzua në lumin Potomak, pranë aeroportit.

Sekretari i Transportit Duffy tha se avioni ishte shkatërruar në tre pjesë dhe kishte rënë në ujrat e akullta të lumit.

Më herët, në një tjetër konferencë për shtypin, shefi i zjarrfikësve dhe shërbimeve të urgjencës në Uashington, John Donnelly tha se rreth 300 pjesëtarë të shërbimeve emergjeve, agjencive lokale, shtetërore dhe federale ishin në vendngjarje për operacionin e kërkimit, në kushte jashtëzakonisht të vështira, me erë të fortë dhe ujra të akullta.

Nuk ka ende ndonjë të dhënë për shkakun e përplasjes, por zyrtarët thanë se kushtet e fluturimit ishin të qarta, kur mbërriti nga qyteti Wichita i Kensasit avioni me të cilin udhëtonin patinatorë amerikanë dhe rusë.

“Deri tani ne nuk e dimë pse avioni ushtarak hyri në kursin e … avionit”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë American Airlines Robert Isom.

Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington, kanë kapur një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi. Të dhënat nga avioni tregojnë se ai ishte në një lartësi prej rreth 120 metrash në çastin e përplasjes.

Më pak se 30 sekonda përpara përplasjes, kontrollorët e trafikut ajror pyesin helikopterin nëse e sheh avionin që po vinte “PAT-25, a e sheh CRJ?” dëgjohet të thotë kontrollori dhe pak çaste më vonë bën një tjetër thirrje. “PAT-25 kalo pas CRJ”, me sa duket duke i thënë helikopterit të priste që të kalonte avioni Bombardier CRJ-701. Nuk pasi asnjë përgjigje. Disa sekonda më vonë, avioni u përplas.

Sekretari i Transportit Sean Duffy, i cili e mori detyrën më herët gjatë kësa jave, u pyet nëse mund të siguronte amerikanët se Shtetet e Bashkuara kanë hapësirën ajrore më të sigurtë në botë.

“Përgjigja për këtë është po, absolutisht që po”, tha ai.

Autoritetet thonë se dinë “elementët e parë” të asaj që shkoi keq

Nata ishte e pastër, avioni dhe helikopteri po kryenin fluturime të paracaktuara dhe kishte komunikim standard mes avionit dhe kullës, tha Sekretari i Transportit Sean Duffy.

“Ne kemi tregues të hershëm të asaj që ndodhi këtu”, tha zoti Duffy, megjithëse ai nuk pranoi të japë më shumë hollësi në pritje të një hetimi.

Nuk është e pazakontë që një avion ushtarak fluturon mbi lumë dhe një avion ulet në aeroport, tha ai. I pyetur nëse avioni ishte në dijeni se kishte një helikopter në zonë, zoti Duffy tha se helikopteri ishte në dijeni se kishte një aeroplan në zonë.

Viktimat

Organizata e Patinazhit Artistik të Shteteve të Bashkuara, tha se disa anëtarë të saj dhe familjarë të tyre, ishin në mesin e udhëtarëve në avion.

Kremlini njoftoi se në bordin e avionit ishin ish- fituesit e kampionatit të Patinazhit Artistik, shtetasit e lindur në Rusi Yevgenia Shishkova dhe Vadim Naumov.

Tre ushtarët që gjendeshin në helikopter po kryenin në fluturim stërvitor, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke shtuar se “ishte një ekuipazh me përvojë “. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur pasi zyrtarët po njoftojnë të afërmit, tha ai.

Aeroporti

I vendosur përgjatë lumit Potomak, në jugperëndim të Uashingtonit, aeroporti kombëtar “Reagan National” përdoret gjerësisht pasi ështëshumë më afër qytetit sesa aeroporti ndërkombëtar “Dulles”, që është më i madh.

Çfarë thonë ekspertët?

Eksperti i aviacionit, Geoffrey Thomas thotë se helikopteri nuk kishte ndezur sistemin e gjurmimit, duke e cilësuar këtë një gabim tragjik.

“Ky ishte një helikopter që po kryente një fluturim stërvitor. Mesa duket nuk kishte ndezur sistemin e gjurmimit ADS-B. Ky është një sinjal që i dërgohet trafikut ajror për të gjurmuar avionët. Dhe është gjithashtu një komponent jetik i një sistemi tjetër të quajtur TCAS, i cili është Sistemi i Shmangies së Përplasjeve, me të cilin janë të pajisur avionët civilë dhe ushtarakë, i cili sinjalizon për avionë të tjerë në rast të një kursi përplasjeje. Por ADS-B duhet të ndizet”, thotë eksperti.

Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, kur si pasojë e një aksidenti ajror në Nju Jork vdiqën 50 vetë./VOA

 

Show More

Related Articles

Back to top button