Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, nga tubimi me qytetarë në Gjilan paralajmëroi reforma rrënjësore në gjyqësor.
Pos formimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, Kurti paralajmëroi edhe formimin e Prokurorisë së re speciale e cila do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kurti akuzoi Prokurorinë e Shtetit se është shndërruar në parti opozitare.
“Pas fitores sonë më 9 shkurt në mandatin e ri, përveç se Byro për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të kemi edhe vetting sepse na duhet ta drejtojmë drejtësinë, e do të kemi edhe reformë të thellë për gjyqësor të ri e Prokurori të re, ku përfshihet edhe Prokuroria e re Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju po i shihni që fatkeqësisht prokuroria e shtetit është shndërruar në një parti politike opozitare, por edhe ata kanë me i humb zgjedhjet më 9 shkurt, sikur partitë e tjera opozitare edhe Prokuroria e Shtetit që u bë si parti politike opozitare ka me i humb zgjedhjet më 9 shkurt, por a e dini çka? Pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputet në Kuvend çysh mundet me i pas naj parti opozitare nëse ka fat me kaluar pragun. Meqenëse partia më e re opozitare Prokuroria e Shtetit nuk do të ketë deputet në legjislaturën e nëntë atëherë le të shkojnë në shtëpi, më 10 shkurt s’ka pse del në punë se s’janë tu bo punë, le të rrinë në shtëpi, e ne do ta kemi gjyqësorin e ri me kompetencë, profesionalizëm, devotshmëri, urtësi, efikasitet e patriotizëm e jo mo kësi prokurorësh që Millan Radojçiqit ia heqin urdhërarrestin e e ndjekin Rozeta Hajdarin”, tha Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.