Sekretari i Kulturës i BDI-së Valmir Aziri, sot në konferencë për shtyp ka reaguar në lidhje me Programin vjetor të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që u publikua dje. Ai tha se shqiptarët me këtë program kanë përjetuar diskriminimin më të madh të viteve të fundit.
Aziri kërkoi dorëheqjen e zv.ministrit të Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani, për të cilin tha se i janë marrë ingerencat dhe i njëjti shkon në punë vetëm për të marrë rrogën, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Programi vjetori i Ministrisë së kulturës nënkupton shkatërrim të organizuar të kulturës shqiptare. Në vitin 2025 po përjetojnë diskriminimin më të rëndë kulturor të viteve të fundit. Programi vjetor nuk është thjeshtë shpërndarje e padrejtë e fondeve, por strategji e pastër shtetërore për të zhdukur kulturën shqiptare nga mbështetja institucionale”.
“Ministria e Kulturës dhe Turizmit po then një traditë të vendosur, ku në mënyrë transparente publikohen të dhënat e projekteve nëpër institucione shtetërore dhe individët që ushtrojnë kulturën. Në total të gjitha sektorët kryesorë të kulturës nuk kanë arritur të marrin as 12 përqind të buxhetit dhe projekteve”, tha Aziri.
Ai e ftoi Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit që të rishqyrtojë projektet shqiptare në kulturë, si dhe kërkoi reagim shoqëror dhe politik.