![](https://globi.mk/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot_1-6.bmp)
Mazhoranca dhe opozita në vendin tonë vijojnë garën mes tyre edhe për grumbullimin e votave jashtë kufijve të Shqipërisë.
Pas takimit që pati kryetari i PD, Sali Berisha me diasporën në Romë, mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama ka postuar një video në rrjetet sociale, ku i bën thirrje kësaj kategorie që të regjistrohen pë zgjedhjet dhe më 11 maj të votojnë PS.
Ndër të tjera, Rama edhe pse e qeverisë vendin që nga viti 2013, u thotë qytetarëve se në mandatin e katërt do e anëtarësojë plotësisht vendin në Bashkimin Europian.
“Ju uroj mirëmëngjesi nga selia e PS, 22 ditë nga përfundimi i regjistrimi të zgjedhësve në diasporë. 11 maji votim historik edhe për faktin që për herë të parë shqiptarët do të votojnë nga aty ku jetojnë me postë. Kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë, duhet të regjistrohet deri në 4 mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për të çuar fletë e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf që do kohë edhe për kthimin, Deri tani numri i të regjistruarve është premtues, por mund e duhet të jetë edhe më i madh. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Mezi pres që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve dhe botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme, për Shqipërinë e respektuar nga bota e Europa, që në mandatin tonë të 4 do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në BE. Regjistrohuni e mos e lini për ditën e fudnit kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ e të bëhet shumë më e vështirë“,-thotë Rama.