![](https://globi.mk/wp-content/uploads/2025/01/Market.jpg)
VMRO- DPMNE dhe LSDM janë përplasur përmes njoftimeve në media se cila parti ka investuar më shumë të holla në rrjete sociale për t’u promovuar, në kohë kur qytetarët e thjeshtë e kanë problem esencial ta mbushin shportën elementare për mbijetesë, shkruan Portalb.mk.
LSDM-ja në kumtesën e saj theksojnë se në ekonomi po ndodh “fiasko totale e politikave qeveritare”. Sipas partisë opozitare, çmimet vazhdojnë të rriten, qytetarët kanë gjithnjë e më pak para dhe mezi ia dalin mbanë. Ata shtojnë se masat me shporta ishin të pasuksesshme.
“Qytetarët u detyruan të organizohen dhe të ngrenë zërin kundër çmimeve të larta dhe rritjeve të mëdha të çmimeve përmes bojkotit të tregjeve. Dhe në vend që menjëherë të marrë masa dhe të ulë çmimet, qeveria e Mickoskit po i lë gjërat ashtu siç janë, duke mos bërë asgjë për uljen e çmimeve. Vetëm qytetarët kanë mbetur. Mickoski thotë se do të shqyrtojnë, do të bëjnë analiza dhe do të paraqesin diçka në seancën e ardhshme të qeverisë”, thonë nga partia e Venko Filipçes.
LSDM-ja kritikoi kryeministrin se “shpenzon më shumë se një pagë minimale për një reklamë të vetme në Facebook, duke luajtur me njerëzit që paguajnë më shumë çdo ditë dhe kanë më pak të ardhura.
“Kanë kaluar 8 muaj, a do ta mendojë akoma Mickoski? Nuk premtuat se do të uleshin çmimet? Këtu çmimet nuk u ulën, u rritën, doli në dritë paaftësia. Qeveria ka një buxhet prej 6 miliardë eurosh. Pse të mos rrisim vetëm pagat? Çfarë prisni?”, pyesin nga LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë VMRO-DPMNE. Partia në pushtet akuzoi se LSDM, Zaev dhe Kovaçevski duke vjedhur shtetin kanë shpenzuar edhe 280 mijë euro për reklama në Facebook.
Siç thonë nga VMRO-DPMNE, ish-partia në pushtet dhe ish-kryeministrat kanë dhënë 280 mijë euro, siç theksojnë, për “mbulimin e përgjegjësisë për spitalin modular në Tetovë, për Durmo Tours, për tenderët e Vasko Kovaçevskit dhe për të gjitha krimet dhe dallaveret që kanë bërë”.
“Në vend se për popull LSDM, Zaev dhe Kovaçevski shpenzuan 280 mijë euro në gënjeshtra dhe manipulime”, thuhet në komunikatën e partisë së Mickovskit.
Derisa partitë akuzohen për harxhime në promovime me interes individual, grupor e partiak, kujtojmë se, në Republikën e Maqedonisë së Veriut çmimet e produkteve bazë janë në rritje e sipër. Ditë më pare nga Lidhja e Sindikatave në RMV porositën qeverinë se duhet të ndikojë te tregtarët që të ulin çmimet në vend. Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e çmimeve të produkteve bujqësore në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me dhjetorin e vitit paraprak.