BotaLajme

Korrupsioni global mbetet i lartë, sipas Transparency International

Korrupsioni global mbetet i lartë. Sipas raportit të Transparency International ai minon mbrojtjen e klimës dhe demokracinë. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2024: Dy të tretat e vendeve me rezultate të dobëta.

Nxehtësi rekord, përmbytje, djegie pyjesh – ndërsa kushtet ekstreme të motit përkeqësohen dhe objektivat për klimën janë në rrezik, një faktor vendimtar shpesh mbetet pa u vërejtur. Ai është korrupsioni. Indeksi i perceptimit të korrupsionit (CPI) i Transparency International 2024 zbulon se ryshfeti dhe abuzimi me pushtetin pengojnë masivisht mbrojtjen e klimës në shumë vende. Në sfondin e ngrohjes globale rekord, erozionit të demokracisë dhe tërheqjes nga mbrojtja globale e klimës bota qëndron e vënë me shpinë pas muri, thotë studimi.

Kriza e korrupsionit pengon zgjidhjen e krizës së klimës

“Duhet urgjentisht ta luftojmë korrupsionin në rrënjë, përpara se ai të shkatërrojë plotësisht masat e rëndësishme për mbrojtjen e klimës”, shkruan drejtorja ekzekutive e Transparency International, Maíra Martini, në raport. Ajo u bën thirrje qeverive dhe organizatave multilaterale, që ta bëjnë antikorrupsionin pjesë integrale të strategjive të tyre klimatike.

“Sot forcat e korruptuara jo vetëm që diktojnë politikën, por shpesh diktojnë dhe minojnë kontrollin, duke bërë që gazetarët, aktivistët dhe të gjithë ata, që mbrojnë barazinë dhe qëndrueshmërinë, të heshtin”, thotë Martini. Rezistenca e vërtetë klimatike kërkon që këto kërcënime të ballafaqohen direkt dhe me vendosmëri. “Njerëzit e rrezikuar në mbarë botën kanë nevojë urgjente për këto masa.”

Raporti ilustron përmes rasteve të shumta se si korrupsioni pengon masivisht mbrojtjen e klimës.

SHBA: Një kompani energjetike atje duhet të ketë investuar 60 milionë dollarë në një sistem ryshfeti, për të ndikuar në vendimet politike dhe për të ngadalësuar përhapjen e energjive të rinovueshme. Sipas prokurorit publik paratë i janë derdhur një politikani dhe një partneri i tij për të përfituar mbështetje miliarëshe për dy termocentrale bërthamore. Sipas informacioneve ai e ndihmoi kompaninë që të konkurronte me forma më të reja, më të lira të energjisë dhe të kishte avantazh në garë.

Milliona dollarë amerikanë të përvetësuar

Rusi: Një hetim sjell prova të qarta, se miliona dollarë amerikanë nga një projekt i Fondit Global të Mjedisit, i menaxhuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), janë përvetësuar. Projekti, që u zbatua ndërmjet viteve 2010 dhe 2017, duhej të përmirësonte efikasitetin e energjisë dhe të reduktonte emetimet – por, sipas CPI, nuk arriti asnjë prej qëllimeve të tij klimatike.

Libia: Ky vend arab vuan nga kushtet ekstreme të motit, pasojat e të cilave thellohen nga korrupsioni dhe mungesa e masave adaptuese ndaj klimës. Në 2023, pas shumë vitesh neglizhencë, shpërthyen dy diga, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, nga të cilat, sipas të dhënave të qeverisë libiane, humbën jetën mbi 11.000 vetë.

Vietnam: Ryshfetet e dhëna përfaqësuesve të qeverisë vietnameze si dhe doganierëve e punonjësve të kufirit kanë bërë që lënda e drurit, e prërë ilegalisht në Kamboxha, të kontrabandohet me lehtësi në Vietnam dhe të hyjë në tregun e ligjshëm.

“Njerëzit kudo në botë kërkojnë nga qeveritë e tyre të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e klimës. Por fuqia korruptive e kompanive të naftës dhe gazit, të cilat përfitojnë nga shkatërrimi i mjedisit, bën që zërat e tyre vazhdimisht të shuhen”, kritikon Mads Christensen, drejtuese ekzekutive e Greenpeace International, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024. Kompanitë i kanë përdorur miliardat e tyre “për t`i bërë kritikët dhe aktivistët të heshtin, për të blerë pushtet dhe për të çmontuar masat mbrojtëse, që mbrojnë familjet tona dhe planetin tonë”.

Korrupsioni i lartë rëndon shumicën e vendeve

Për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Transparency International ka vlerësuar 180 vende sipas nivelit të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik: në një shkallë nga zero (shumë i korruptuar) deri në 100 pikë (pa korrupsion). Meqenëse korrupsioni po rritet, si në shtrirje ashtu dhe në kompleksitet, më shumë se dy të tretat e vendeve gjenden nën nivelin mesatar prej 50 pikësh – “me ndikime të mëdha dhe potencialisht shkatërruese për masat globale për mbrojtjen e klimës”. Nga kjo preken 6.8 miliardë njerëz, shifër që korrespondon me 85 përqind të popullsisë së botës me rreth tetë miliardë njerëz.

Vendet me rezultatet më të këqija janë kryesisht vendet e brishta dhe të përfshira në konflikte si Sudani i Jugut (indeksi 8 nga 100), Somalia (9), Venezuela (10), Siria (12), Libia (13), Eritrea (13), Jemeni (13) dhe Guinea Ekuatoriale (13).

Krahas këtyre perspektivave të zymta, Indeksi i Transparencës përmban edhe zhvillime pozitive. Me 90 pikë, për të shtatën herë radhazi, Danimarka zë vendin e parë si vendi me më pak korrupsion. E ndjekur nga afër nga Finlanda (88), Singapori (84) si dhe Zelanda e Re (83), Luksemburgu, Norvegjia dhe Zvicra (të tria 81). Edhe Gjermania bën pjesë në grupin e parë të vendeve me më pak korrupsion dhe e ndan vendin e dhjetë me Kanadanë – të dyja me vlerën 75.

Më shumë se një mijë ambientalistë të vrarë

Por hetimi flet edhe për viktimat e korrupsionit klimatik. Aktivistët për ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, të cilët janë shpesh në vijën e parë të luftës kundër krizës klimatike, bëhen rregullisht viktima të frikësimit, dhunës dhe madje edhe vrasjeve. Ky është një rrezik i madh veçanërisht në vendet me probleme serioze korrupsioni: “Pothuajse të gjitha 1013 vrasjet e aktivistëve mjedisorë që nga viti 2019 janë kryer në vende me vlera të CPI nën 50”, regjistron Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit.

CPI bën të qartë kontrastin e fortë mes vendeve me institucione të forta, të pavarura dhe me zgjedhje të lira e të ndershme dhe atyre me regjime represive dhe autoritare. Demokracitë e konsoliduara kanë një rezultat mesatar të CPI prej 73, ndërsa demokracitë e brishta arrijnë një mesatare prej 47 dhe qeveritë jodemokratike vetëm 33.

Një kërcënim global në rritje

“Korrupsioni është një kërcënim global në rritje, që minon shumë më tepër sesa thjesht zhvillimin – ai është një nga shkaqet kryesore të dobësimit të demokracisë, destalibilizimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut,” thotë François Valérian, president i Transparency International. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta këtë prioritet të lartë luftën kundër korrupsionit. “Kjo ka një rëndësi vendimtare, për të zbrapsur autoritarizmin dhe për të siguruar një botë paqësore, të lirë dhe të qëndrueshme”.

Që kur u lançua në vitin 1995, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është matësi kryesor i ryshfetit dhe korrupsionit në botë. Ai vlerëson 180 vende dhe territore bazuar në perceptimet e korrupsionit në sektorin publik. Indeksi bazohet në të dhëna nga 13 burime të jashtme, duke përfshirë Bankën Botërore, Forumin Ekonomik Botëror, firmat private të konsulencës, think tanks dhe organizata të tjera./DW/

 

 

Show More

Related Articles

Back to top button