LajmeMaqedoni

RMV, deputetët në Kuvend nuk pranuan uljen e shpenzimeve për udhëtimet e tyre

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk e miratoi propozimin për uljen e shpenzimeve të udhëtimit për deputetët. Propozimin e dorëzuar nga Partia e Majtë e votuan 23 deputetë, 1 kundër, nuk pati asnjë abstenim, megjithëse në Kuvend ishin 100 deputetë, shkruan Portalb.mk.

Propozimi parashikonte që kostot e udhëtimit të llogariteshin sipas çmimit të tregut prej 6.5 litrash për çdo 100 kilometër të kaluar.

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për deputetët, i cili i rregullon shpenzimet e udhëtimit për deputetët, thekson se analiza historiko-krahasuese e shpenzimeve mesatare të udhëtimit të paguara për deputet, e kryer për rajonin e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në periudhën 2010-2016 tregon se një deputet i Kuvendit të Maqedonisë ka marrë mesatarisht rreth 40,000 euro shpenzime udhëtimi.

Kjo shumë është 4000 euro më e lartë se shuma që i paguhet një deputeti në Slloveni, 21000 euro më e lartë se shuma që i paguhet një deputeti në Bullgari, 28000 euro më e lartë se shuma e paguar për një deputet në Kroaci dhe 34.000 euro më e lartë se shuma e paguar për një deputet në Kosovë.

Me refuzimin e propozimit, mbetet në fuqi ligji aktual, i cili parashikon tarifë për përdorimin e veturës në pronësi personale për qëllime zyrtare në masën 20% të çmimit të shitjes së një litri karburant, në bazë të kilometrit të kaluar.

Kujtojmë se vetëm për një vit, për shpenzime rrugore të deputetëve janë shpenzuar mbi 366 mijë euro (22.554.520 denarë).

 

Show More

Related Articles

Back to top button