LajmeMaqedoni

Punësime të sigurta për 1.180 infermierë dhe 600 specializantë deri në fund të vitit

Njëzet institucione shëndetësore publike të cilat tashmë kanë përgatitur sistematizime të reja, menjëherë mund t’i punësojnë 300 specializantët privatë nga grupi i parë, mes të cilëve më të përfaqësuar janë gjinekologët dhe kardiologët, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

Pas vizitës në pikën e re të renovuar pediatrike në poliklinikën Bit Pazar, Taravari duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, tha se vetëm në institucionet shëndetësore të Shkupit do të punësohen rreth 30 gjinekologë specializantë.

Sipas ministrit, punësime do të ketë vazhdimisht, por për momentin ajo që është e sigurtë janë 1.180 infermierë me shkolla të mesme dhe 300 specializantë në fillim të vitit, si dhe aq në fund të vitit.

“Në shëndetësi do të ketë saktësisht 1.800 vende pune dhe ndërkohë do të detyrohemi të kemi kontrata të reja sepse në veçanti kemi mungesë të stafit të infermierëve”, tha Taravari.

Në lidhje me punësimet e specializantëve privat, informon se më 30 dhjetor kanë përfunduar të gjitha procedurat në ministritë e shëndetësisë dhe të financave.

“Kjo nuk ishte paraparë edhe në sistematizimet e institucioneve publike shëndetësore. Për shembull, Qendra Shëndetësore ka nevojë për shtatë apo dhjetë mjekë që nuk ishin parashikuar. Megjithatë, nga gjithsej 108 institucione shëndetësore publike që po përgatisin sistematizime të reja, 20 janë tashmë gati dhe mund të fillojnë menjëherë punësimin e 300 specializantëve të parë. Pjesa tjetër janë në pritje të sistematizimeve të reja nga Ministria e Administratës”, theksoi Taravari.

 

Show More

Related Articles

Back to top button