
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një ceremoni të veçantë ka ndara Dekorata Presidenciale, ndërsa dekoroi familjen Jashari, duke njohur kështu sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës.
Osmani theksoi se në 17-vjetorin e pavarësisë, po i bëjnë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn – dekorimin e atyre që e bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara.
“Në këtë ditë të shenjtë, në këtë moment solemn, ne nuk po përkujtojmë vetëm një datë – ne po nderojmë një epokë të lavdishme! 17 vjet liri, 17 vjet shtet, 17 vjet betejë për t’i treguar botës se Kosova është e përjetshme!
Me të drejtë, Komandanti Adem Jashari, Hamza, e shumë të tjerë, janë nderuar me Urdhrin Heroi i Kosovës. E sot, titullin hero, do t’ia ndajmë Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari. Por, deri më sot, familja Jashari si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk është dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt.
Prandaj kam nderin që në emër të popullit të Kosovës do ta bëjmë dekorimin e familjes Jashari në tërësi, si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike duke njohur duke e njohur sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, tha ajo.
E para e shtetit tutje tha se ky është një moment i rëndësishëm për të riafirmuar se shteti i Kosovës nuk e harron sakrificën më sublime të historisë sonë moderne, por e nderon atë në mënyrë të merituar dhe të plotë.