Alarmi është vënë në Ilia, rajonin historik në pjesën perëndimore të gadishullit të Peloponezit të Greqisë, për shkak të zjarrit që ka rënë në një zonë agropylltarie në Makrisia pak pas orës 3:30 të pasdites dhe ka marrë përmasa të pakontrollueshme.
Në zonë operojnë 125 zjarrfikës me shtatë grupe njësish këmbësore dhe 43 automjete, ndërsa 4 avionë zjarrfikës dhe 4 helikopterë po hedhin ujë nga ajri.
Sipas informacioneve të para, zjarri ndodhet në një terren të vështirë dhe për pasojë zjarrfikësit nuk arrijnë dot lehtësisht.
Zëvendësguvernatori i Ilias tha se “kampi i fëmijëve në rajonin e Frixa është evakuuar, ndërsa është dhënë urdhër për evakuimin paraprak të rajonit të Krestenës, Makrisisë dhe Skylloundia”.
Po sipas tij, “fronti i zjarrtë kërcënon shtëpitë e para në zonat e Krestenës dhe Skylloundia”. Gjithashtu, siç tha zëvendësguvernatori i rajonit, “fronti i zjarrit po lëviz drejt rajoneve Gryllos, Vryna dhe Smyrna”.
Deri më tani vetëm një qytetar të cilit i është dëmtuar shtëpia nga zjarri është paraqitur në spital me probleme në frymëmarrje ku është trajtuar nga mjekët.