
Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vazhdojnë të ofrojnë mbështetje financiare për qytetarët e Maqedonisë të cilët do të regjistrohen në studimet deridiplomike pasdiplomike ose doktoraturës në një nga universitetet më të mira në botë sipas ranglistës së Shangait. Konkurset për ndarjen e bursave për vitin akademik 2025-2026 janë shpallur, ndërsa afati i fundit për aplikimit është 12 shtator.
Për këtë sot informoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, e cila rikujtoi se është masë që shteti e zbaton tanimë 15 vjet, por kësaj radhe me disa modifikime të kushteve për përfituesit pas marrjes së diplomës.
“Qëllimi i ndryshimeve është që të sigurohet efektiviteti i kësaj mase, e cila kushton shumë, duke pasur parasysh se studimi në universitetet më të mira është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe çdo vit paguajmë deri në 40 mijë dollarë vetëm për të mbuluar regjistrimin, dhe përveç kësaj, mbulohen shpenzimet e jetesës, akomodimit dhe transportit të studentëve tanë”, theksoi Janevska.
Në konkurset mund të aplikojnë qytetarët maqedonas të cilët në vitin akademik 2025/2026 do të regjistrohen në një nga dhjetë universitetet e para të ranguara nga të gjitha fushat, gjegjësisht në një nga njëqind universitetet e para të renditura në fushën e shkencave teknike, arkitekturës, ndërtimtarisë, matematikës, të drejtës ndërkombëtare, ekonomisë dhe financave, fizikës, biologjisë, kimisë, shkencave të gjenetikës, sipas listës së fundit të publikuar në Qendrën për universitetet e klasit botëror pranë Universitetit Xhio Tong të Shangait.
Kandidati duhet të ketë arsim përkatës të mëparshëm dhe notë mesatare përkatëse të përcaktuar në konkurs dhe të mos jetë për momentin përfitues i ndonjë burse nga një ofrues tjetër. Për bursistët mbetet detyrimi që pas marrjes së diplomës të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë dy herë më shumë se sa gjatë studimeve.
“Ka disa risi në konkurs. Pas kthimit, bursistët duhet të paraqiten në MASH dhe për herë të parë të regjistrohen në regjistër të posaçëm digjital (e-registar.mon.gov.mk), që po e prezantojmë këtë vit dhe që do të ndahet me autoritetet shtetërore, universitetet dhe odat ekonomike, në drejtim të gjetjes më të lehtë të një angazhimi të përshtatshëm pune”, informoi Janevska dhe njëherit iu bëri thirrje të gjithë të interesuarve që t’i shohin kushtet në konkurse dhe nëse i plotësojnë, duhet të shfrytëzojnë mundësinë që deri më tani e kanë shfrytëzuar rreth 400 qytetarë të Maqedonisë, për t’i avancuar njohuritë e tyre në universitetet e njohura botërore.