LajmeMaqedoni

Papunësia/ Agjencia shpenzoi 21 milionë euro për aktivitete, nuk zbatoi parimin e barazisë

Agjencia për Punësim gjatë  vitit 2023 ka shpenzuar 21 milionë euro për aktivitete, mbështetje, trajnime e subvencione për të zbutur papunësinë në Maqedoni.

Megjithatë, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar dobësi në zbatimin e këtyre masave dhe programeve për punësim.

Një prej kritereve për ndarjen e këtyre mjeteve është edhe zhvillimi i barabartë rajonal në tërë shtetin, por revizorët kanë konstatuar se gjatë shpërndarjes nuk është respektuar parimi i barazisë në tetë rajonet planore.

Në disa prej rajoneve janë paguar vlera më të mëdha të parave në raport me përqindjen e përcaktuara për pjesëmarrje, sipas vendimit për klasifikim të rajoneve planore dhe shkallës së zhvillimit.

“Mjetet e paguara për rajonet planore në pjesën qendrore dhe lindore të vendit janë më të ulëta, ndërsa mjetet e paguara për rajonin planor të Shkupit dhe rajonet planore në pjesën perëndimore të vendit janë më të larta se shuma e përcaktuar, ku në disa raste tejkalimi është katër herë më i madh se shuma e përgjithshme e përcaktuar me vendim”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve që janë ndarë për masat aktive për punësim, revizorët kanë konstatuar se në një pjesë të madhe të procesverbaleve kanë të bëjnë me kontrollet formale të kryera me formulime të përgjithshme, pa u dhënë përshkrim i detajuar për qëllimin e shfrytëzimit të mjeteve, gjegjësisht pajisjes që është furnizuar me fondet e subvencionuara.

Agjencia gjatë vitit 2023 nën udhëheqjen e Bekim Muratit nga radhët e BDI-së, ka paguar 1,4 milion euro për trajnim të papunëve në fushën e teknologjisë informatike, megjithatë, revizorët kanë konstatuar se vetëm 22% e kandidatëve e kanë mbaruar me sukses trajnimin.

Për këtë, Revizioni konstaton se masa nuk e ka arritur efektin e saj, pasi shumica nuk e ka kaluar testimin.

Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, shkalla e papunësisë në Maqedoninë e Veriut në tremujorin e tretë të vitit 2024 ka qenë 12,5%, ndërkaq numri i popullatës aktive për punë për këtë periudhë ka qenë 790.152. Sipas të dhënave të Agjencisë për Punësim, në dhjetor të vitit 2024 janë evidentuar 96.828 persona të papunë.

Kjo, është larg standardit të vendeve të zhvilluara. Në dhjetor të vitit 2024, papunësia në Evropë ka qenë në nivel 5,9%.

Ndonëse, papunësia ndër vite ka trend të uljes në vend, megjithatë shteti ka mungesë të kuadrove të kualifikuar në fusha konkrete. Kjo, plotësisht e rëndon situatën për shkak migrimit të tyre, të cilët për kushte dhe jetë më cilësore ikin në vendet perëndimore./ Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button
Globi.mk