Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë (SPUP) njofton se të dielën do të fillojë greva para Qeverisë.
Këtë iniciativë e kanë vendosur pasi siç thonë ata tash e dy vite, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet që disa nga ushtarët profesionistë të transferohen në një institucion tjetër.
“Sipas nenit 40a të Ligjit për shërbimin në ushtri, ushtarët profesionistë me plotësimin e moshës 45 vjeçare transferohen në institucionet tjera të ndërlidhura. Por tash e 2 vite Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për transferimin e disa prej ushtarëve profesionistë në një institucion tjetër. Ndaj SPUP-ja ndërmerr aktivitete me anëtarët e saj dhe më 22 Maj 2022 para Qeverisë së RMV-së do të vendosim tenda për të fjetur përgjatë trotuarit përballë Qeverisë dhe aty do të qëndrojmë derisa të plotësohet kërkesa jonë”, thonë nga Sindikata
Ata theksojnë se që nga themelimi kanë punuar vazhdimisht për përmirësimin e standardit të punonjësve të Ushtrisë, për përmirësimin e marrëdhënieve Sindikatë – punëdhënës si dhe kanë pasur bashkëpunim korrekt me Ministrinë e Mbrojtjes, për përmirësimin e kushteve të punës dhe shumë shërbime të tjera.
SPUP i bëri thirrje ministres së Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska që t’i mbështesë dhe t’u bashkohet në këtë grevë.