
Java e 26-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka vulosur edhe më shumë ndarjet në tabelë, duke nxjerrë në pah dy fronte të nxehta: garën për titull dhe betejën dramatike për mbijetesë, njofton Telegrafi.
Shkëndija e Tetovës vazhdoi serinë e fitoreve, duke mposhtur Tikveshin edhe pse për më shumë se 25 minuta luajti me një lojtar më pak. Kjo fitore e mban skuadrën kuqezi në krye të tabelës me katër pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Sileksi, i cili gjithashtu regjistroi fitore dramatike ndaj Voska Sportit. Me këtë ritëm, duket se titulli i këtij sezoni do të vendoset mes këtyre dy skuadrave, të cilat janë të vendosura t’ia rrëmbejnë fronin kampionit aktual, Strugës.
Në anën tjetër të tabelës, beteja për mbijetesë ka hyrë në fazën më kritike. Katër skuadra tashmë janë ndarë në fundin e klasifikimit dhe do të luftojnë me çdo kusht për të qëndruar në elitë: Besa e Dobërdollit, Voska Sport, Tikveshi dhe AP Brera. Çdo pikë nga këtu e tutje do të ketë peshën e artë për to.
Ndërkohë, nuk mungon as gara për një vend në arenën evropiane. Aktualisht, Rabotniçki mban pozitën e tretë, e ndjekur nga Gostivari dhe Struga, të cilat po tentojnë të përfitojnë nga çdo hap fals i rivalëve. Në grupin e mesëm të renditjes ndodhen Shkupi, Pelisteri dhe Vardari, që për momentin janë larg rrezikut, por nuk kanë luksin të qetësohen. Ata synojnë të ruajnë pozitat stabile që sigurojnë mbetje në elitë, ndërsa njëkohësisht mund të përgatiten për më shumë ambicie në sezonin e ardhshëm.
Rezultatet e plota të javës së 26-të: Besa – Gostivari 2-1, Shkupi – Rabotniçki 0-0, Tikveshi – Shkëndija 0-1, Voska Sport – Sileksi 1-2, AP Brera – Vardari 0-2, Struga – Pelisteri 4-1. /Telegrafi/