
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirë-koordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe.
Presidentja e Kosovës diskutoi me Prattipati për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Poashtu ajo theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës.
Më tej, Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie.
Poashtu e njoftoi znj.Prattipati edhe për hapa të tjerë konkret që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës.