LajmeRajon

Kurti në Bruksel kërkon heqjen e masave: Kosova meriton statusin e kandidatit për BE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Kosova nuk ka një “Plan B” përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Kurti ka kërkuar që zgjerimi i BE-së të jetë strategjik, i bazuar në merita dhe real.

Këto komente ai i bëri gjatë një fjalimi në institutin e njohur evropian CEPS (Qendra për Studime të Politikave Evropiane) në Bruksel.

Kurti ka shprehur nevojën urgjente për dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën, duke e cilësuar atë si një hap të vonuar.

“Ata që përputhen me CFSP-në e BE-së dhe mbështesin vlerat e BE-së duhet të shpërblehen, jo të mbahen nën masat kufizuese të BE-së. Statusi kandidat për Kosovën është i vonuar”, ka shkruar Kurti në “X”.

Kurti ka shtuar tutje se Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe bartëse e vlerave themelore të BE-së, megjithatë mbetet vetëm një kandidate potenciale për anëtarësim në BE.

“Qëllimet strategjike të Kosovës përfshijnë anëtarësimin në BE dhe NATO. Si i tillë, harmonizimi ynë i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP) është i padiskutueshëm, duke pasur parasysh se qytetarët tanë mbështesin fuqishëm integrimin e Kosovës në BE”, është thënë tutje në njoftimin e publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti ka theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një aspiratë politike, por është një domosdoshmëri strategjike. /Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button
Globi.mk