
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbërritur në Uashington për një takim me presidentin Donald Trump dhe zyrtarë të lartë amerikanë.
Takimet do të fokusohen kryesisht në luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës dhe pengjet, 59 prej të cilëve ende mbahen robër, si dhe politikën e re tarifore të Trumpit që do të shohë mallrat izraelite të përballen me tarifa amerikane prej 17%.
Por, raportohet se aeroplani që transportonte kryeministrin izraelit fluturoi nga Hungaria ku zhvilloi takime me kryeministrin Viktor Orban, 400 km më larg se rruga normale për të shmangur hapësirën ajrore të disa vendeve që mund të zbatonin një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Nëntorin e kaluar, GJNP kishte lëshuar një urdhër arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes për krime lufte të dyshuara kundër palestinezëve në Gaza.
Dhe Izraeli besonte se Irlanda, Islanda dhe Holanda mund të kishin vepruar për të zbatuar urdhrin.
Andaj aeroplani i tij fluturoi mbi Kroaci, Itali dhe Francë.
Ndryshe, pasi mbërriti në Uashington, Netanyahu dhe gruaja e tij Sara u nisën për në Blair House, ku u takuan me Sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick.
Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu ka fluturuar në një rrugë tjetër për të shmangur arrestimin e mundshëm. /Telegrafi/