
Nga ky muaji rritet kapitacioni për mjekët amë, gjinekologët dhe dentistët. Kjo rritje do ta kushtojë shtetin 550 milionë denarë.
“Rritja e kapitacionit për mjekët amë do të thotë paga më të larta dhe mjekë më të motivuar. Sipas këtij vendimi, vlera e kapitacionit për mjekësinë e përgjithshme do të rritet nga 75 në 100 denarë, ndërsa për stomatologjinë nga 61 në 75 denarë, që paraqet rritje prej 33 përkatësisht 23%”, tha Hristijan Mickoski.
Por çka do të jetë me obligimet e mjekëve, pacientët a do të marrin më shumë shërbime nga mjekët amë e jo siç ishte deri më tani kur duhej të shkonin te specialistët. Ministri i shëndetësisë Arban Taravari tha se qëllimi i rritjes së kapitacionit është që mjekët amë të angazhohen më shumë dhe të bëjnë kontrolle për të cilat deri më tani pacientët dërgoheshin në nivel më të lartë për mjekim.
“Qëllimi është që t’i motivojmë me rritjen e kapitacionit, të punojnë më shumë në programet e skriningut, në parandalimin. Të bëjnë ekografi të zemrës ose disa mjekë amë mund të bëjnë edhe ekografi të karotidëve ose analiza të tjera për të cilat janë të trajnuar dhe kanë licenca të tilla, kështu që pacientët nuk duhet të shkojnë te specialisti për analiza që mund t’i bëjnë në nivelin primar, dhe nëse ka ndonjë problem mjekët amë do t’i dërgojnë te specialisti”, deklaroi Arben Taravari.
Drejtori i Fondit të shëndetësisë Sasho Klekovski thotë se kjo rritje do të jetë motivim për mjekët në shëndetësinë primare. Njëkohësisht ai paralajmëroi se do të ketë kontroll të shtuar për shkrimin e recetave dhe për pushimet mjekësore.