LajmeRajon

Situata në Gaza, Rama: Shqipëria mbështet në vijimësi armëpushimin dhe zgjidhjen me dy shtete

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qëndrimet e Shqipërisë për situatën në Gaza janë në vijimësi publike dhe mbështesin armëpushimin, zgjidhjen me dy shtete dhe njohjen e shtetit të Palestinës.

Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili shkruan për nderimin e kryeministrit me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.

Rama u shpreh se kjo ishte një medalje plotësisht e merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e vonuar madje.

Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që e lidhin këtë me qëndrimin ndaj situatës në Gaza, të cilëve u sugjeroi t’i referohen qëndrimeve publike të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, ku kemi qëndruar në vijimësi me të njëjtën linjë me BE-në.

“Ne kemi kërkuar armëpushim shumë e shumë kohë përpara se të ndodhte. Po ashtu duhet t’i referohen qëndrimeve të vazhdueshme për domosdoshmërinë e pranimit të zgjidhjes me dy shtete dhe për njohjen e shtetit të Palestinës që e kemi thënë në mënyrë të përsëritur dhe t’i referohen fakteve jo emocioneve të pakuptimta në këtë rast”, shtoi Rama.

Duke folur për nderimin me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, Rama u shpreh se ai është një vlerësim për popullin shqiptar.

“Është një vlerësim për të gjithë ata që i dhanë një mësim Europës dhe botës në një moment dramatik dhe tragjik për botën dhe Europën dhe ishin shqiptarë që pa dalim myslimane të krishterë u bënë mburojë për hebrenjtë. Ai është një mësim në histori që askush nuk duhet ta harrojë”, tha Rama.

“Për sa i përket këtyre shkulmave dhe mllefeve të gjithë atyre që kanë dhe vuajnë nga këto u sugjeroj të lexojnë më shumë Profetin (Paqja qoftë mbi të). Unë personalisht u referohem shpesh librave të shenjtë, u kthehem librave të shenjtë pa dallim edhe Biblës dhe Kuranit sepse janë një burim i jashtëzakonshëm lehtësimi dhe ushqimi i vetëpërmbajtjes. Mendoj se kjo është më e mira për t’u bërë”, shtoi Rama.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk