
Në mbledhjen e djeshme të Këshillimit të Sigurimit të OKB-së, u kërkua largimi i misionit UNMIK nga Kosova.
Një kërkesë e tillë erdhi nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, John Kelley.
Gërvalla i bëri thirrje UNMIK-ut që ta trajtojë realitetin në terren pa paqartësi të shtrembëruara.
“Gjuha ka rëndësi, zonja dhe zotërinj. Mënyra se si i përshkruajmë këto akte do të përcaktojë nëse do të mbizotërojë ndëshkimi apo pandëshkueshmëria, nëse agresioni do të inkurajohet apo do të përballët”, u shpreh ministrja në detyrë.
Përfaqësuesi amerikan, John Kelly tha se SHBA-ja i njeh përpjekjet e mëparshme të UNMIK-ut në Kosovë për nxitjen e dialogut dhe reformën ligjore, por shtoi se ka ardhur koha për reduktimin e pranisë së UNMIK-ut.
Ai rekomandoi që UNMIK të fillojë transferimin e funksioneve të saj tek agjencitë e tjera të OKB-së në terren që janë më të përshtatshme për këtë punë, në mënyrë që procesi drejt mbylljes përfundimtare të misionit të jetë i qëllimshëm dhe gradual, e jo i papritur.
Telegrafi ka pyetur Presidencën e Kosovës rreth kësaj çështje, pasi që tashmë edhe vetë administrata amerikane ka kërkuar një gjë të tillë.
Nga Presidenca kanë deklaruar se kjo është kërkesë e kamotshme e presidentes Osmani.
“Kjo ka qenë edhe kërkesë e kahershme e presidentes Osmani, e përsëritur në adresimet që i ka bërë në Këshillin e Sigurimit”, u shpreh Bekim Kupina këshilltar për media i presidentes.
Një kërkesë të tillë për shuarjen e mandatit të UNIMK-ut e kishte kërkuar edhe presidentja Vjosa Osmani në vitin 2021.
“Nuk ka pasur ndonjë dispozitë të ligjeve ndërkombëtare, dhe i themi Serbisë që t’i respektojë ligjet ndërkombëtare. Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe me prosperitet të lartë dhe UNMIK-u jo vetëm që e ka zgjatur mandatin por është në kontraditë me GJND-në. E ftoj OBK-në që të shfrytëzoj buxhetin më mirë. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, është kampione e sigurisë në botë. Njerëzit e Kosovës janë ndërkombëtarë në zemrat e tyre”, kishte deklaruar atë kohë Osmani.
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.
Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore. /Telegrafi/