
Barcelona ka marrë fitore të madhe në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, teksa ka mposhtur Borussia Dortmundin me rezultat të thellë 4-0.
Golin e parë në ndeshje e shënoi braziliani Rafinja, i cili vetëm shtyu topin që po shkonte në rrjetë pas goditjes së Pau Kubarsit. E për këtë braziliani u kritikua shumë nga tifozët në rrjetet sociale se është treguar egoist, derisa ai ka folur pas ndeshjes për golin e shënuar. Braziliani që bëri edhe dy asistime në këtë sfidë ka treguar se i ka kërkuar falje bashkëlojtarit të tij Pau Kubarsi që preku topin.
“I kërkova falje Kubarsít. E preka topin para se të kalonte vijën. I thashë të ishte i lumtur, do t’i numërohej si një asistim për të”, tha Rafinja duke qeshur.
“Ky është roli im për ekipin, të shënoj gola. Nuk mund të them se jemi në gjysmëfinale. Ka mbetur edhe një lojë tjetër. Është gjithmonë e vështirë. Ndeshja e radhës do të jetë shumë ndryshe. Përpara tifozëve të tyre ata do të jenë një ekip ndryshe me shumë cilësi”, tha Rafinja.
Rafinja jo vetëm që shënoi golin e hapjes në mbrëmje, por gjithashtu krijoi dy asiste për golat e Robert Levandovskit dhe Lamine Jamal. Ai tani ka 19 kontribute në gola në sezonin 2024/25 të Ligës së Kampionëve, që përfshin 12 gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje.