
Presidenti kinez, Xi Jinping, ka bërë një thirrje të fuqishme për bashkëpunim më të ngushtë midis Kinës dhe Bashkimit Evropian, duke theksuar nevojën për të kundërshtuar bashkërisht praktikat e njëanshme dhe veprimet që ai i cilësoi si “ngacmime” në arenën ndërkombëtare.
Kjo deklaratë vjen si një kundërpërgjigje ndaj tarifave të larta tregtare të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, të cilat kanë përshkallëzuar tensionet ekonomike midis dy fuqive më të mëdha botërore.
“Nuk ka fitues në një luftë tarifore”, u shpreh Xi Jinping pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, në kuadër të një vizite zyrtare që synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit Kinë–BE, shkruan skynews.
Ai paralajmëroi se masat proteksioniste dhe qasjet e njëanshme nuk sjellin zhvillim, por përkundrazi, rrisin pasigurinë ekonomike dhe dëmtojnë interesat globale.
“Të shkosh kundër botës do të dërgojë vetëm në izolim”, tha lideri kinez, duke nënkuptuar se politikat e konfrontimit të ndjekura nga administrata amerikane janë të dëmshme jo vetëm për Kinën, por për gjithë sistemin tregtar ndërkombëtar.
Në kohën kur shumica e vendeve aleate të SHBA-ve morën një periudhë lehtësuese prej 90 ditësh përpara se të hynin në fuqi tarifat e reja, Kina u përball drejtpërdrejt me një tarifë të rëndë prej 145 për qind ndaj një sërë produktesh të saj, duke e bërë atë objektivin kryesor të luftës tregtare të iniciuar nga Trumpi.
Kjo politikë ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë dhe ka krijuar një atmosferë pasigurie për tregtinë globale.
Në këtë kontekst, Xi i ka bërë thirrje BE-së që të luajë një rol më të balancuar dhe të përgjegjshëm në skenën ndërkombëtare, duke promovuar multilateralizmin, rregullat ndërkombëtare dhe një sistem tregtar të hapur e të drejtë për të gjitha palët. /Telegrafi/