BotaLajme

Aleatët zotohen për ndihmë 21 miliardë euro për Ukrainën

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka thënë gjatë konferencës për shtyp të mbajtur krah për krah me homologun e tij gjerman dhe atë ukrainas, se si rezultat i samitit të mbajtur në Bruksel, ku morën pjesë më shumë se 50 vende, aleatët janë zotuar për ndihmë ushtarake në vlerë prej 21 miliardë eurove për Ukrainën.

Healey ka përjashtuar rolin e Bashkimit Evropian në saje të planifikimit për të formuar të ashtuquajturin “koalicioni i të vullnetshmëve”, pas kritikave të bëra nga përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Kaja Kallas, e cila pati thënë më herët gjatë ditës se kishte mungesë qartësie në planet rreth koalicionit në fjalë.

“Planifikimi ynë është vërtet për koalicionin e të vullnetshmëve, [është] real, substancial, dhe i avancuar mirë. Bashkimi Evropian nuk është pjesë e atij planifikimi”, ka shtuar Healey.

Nga ana tjetër, ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius ka thënë se Moska “nuk është ende e interesuar në paqe”, dhe se arritja e paqes në të ardhmen e afërt duket jorealistike.

“Ukraina ka nevojë për një ushtri të fuqishme dhe vetëm atëherë procesi i negocimit mund të çojë në një paqe të qëndrueshme”, ka thënë Pistorius.

Deklaratave të Pistoriusit iu bashkua edhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, i cili ka shtuar se Rusia nuk ka treguar aspak vullnet për paqe.

“Rusia është duke rritur prodhimin…dhe nuk tregon asnjë shenjë se është e gatshme për paqe”, ka thënë Umerov.

Ai gjithashtu ka falënderuar vendet aleate për ndihmën e vazhdueshme, tek ka theksuar nevojën urgjente të Ukrainës për sisteme ajrore të mbrojtjes. E pavarësisht mungesës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili u kyç në takim përmes videolidhjes, Umerov ka insistuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin “partneri kryesorë” i Kievit.

 

Show More

Related Articles

Back to top button
Globi.mk