LajmeRajon

Zhvillohet protestë në mbështetje të Palestinës në Tiranë

Një grup shoqatash kryesisht të besimtarëve myslimanë shqiptarë kanë protestuar këtë të premte para godinës së Parlamentit, për të kundërshtuar qëndrimin që ka mbajtur Shqipëria për atë që po ndodh në Rripin e Gazës.

Protesta u thirr pas dekorimit të kryeministrit Edi Rama me medaljen presidenciale të nderit të Izraelit, nga Forumi Mysliman i Shqipërisë, nën sloganin “Jo në emrin tim – Tubim për Palestinën”. Sipas tyre dekorimi i “kryeministrit Rama nga presidenti i Izraelit, nuk bëhet në emër të shqiptarëve, por në emër të mbrojtjes që kryeministri i ka bërë gjenocidit Gaza”.

“Rama bëri një gabim fatal që ka shkuar në Izrael, ia ka ulur vlerat vetes”, tha për A2 CNN një protestuese, Luljeta Kazazi. “Nuk duhet të përkrahë kryeministri jonë këtë krim të shëmtuar që po bën Izraeli”.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama u vlerësua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë marrjes së çmimit Rama tha se ky është një nderim për shembullin që shqiptarët i dhanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre, si edhe tolerancën fetare dhe etnike.

Lufta e fundit në Gaza nisi në tetor 2023, pasi militantë të Hamasit u futën brenda territorit izraelit duke vrarë mbi 1000 persona e duke marrë peng qindra të tjerë. Sipas autoriteteve lokale atje deri tani janë vrarë mbi 50 mijë palestinezë nga sulmet izraelite, ndërsa pjesa dërrmuese e enklavës është rrafshuar tërësisht. /Telegrafi/

 

Show More

Related Articles

Back to top button
Globi.mk