
Me vetëm dy të punësuar, portalet do të mund të regjistrohen në regjistrin e mediave që e parasheh ndryshimi i ri i ligjit që ka për qëllim të rregullojë statusin e internet portaleve që deri më tani nuk janë llogaritur si media. Zgjidhja ligjore sot kaloi leximin e dytë në Kuvend, pasi u miratuan amendamentet e propozuara nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, me të cilin përkufizohet numri i të punësuarve në 2. Madje, portalet e personalizuara do të mund të regjistrohen në regjistër me vetëm 1 të punësuar dhe 1 të angazhuar me kontratë në vepër. Regjistri sipas propozim-ligjit , duhet të udhëhiqet nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ndërkaq portalet që do të duan ta marrin statusin e medias, do të obligohen të regjistrohen. Krahas numrit të punësuarve, ata duhet të kenë domen vendor mk ose mkd, të kenë adresë dhe çmimore, por edhe të dhëna për pronarin, kompaninë dhe stafin. /Alsat.mk