
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se telefonët e mençur të prodhuar në Kinë dhe pajisjet e tjera elektronike nuk do të përjashtohen nga tarifat.
Tregjet evropiane të aksioneve janë rritur të hënën në mëngjes pas njoftimit zyrtar të së premtes se disa prej këtyre produkteve do t’u shpëtonin taksave deri në 145%, raporton BBC.
Kina i ka bërë thirrje Trumpit që të “anulojë plotësisht” regjimin e tij të tarifave dhe “të kthehet në rrugën e duhur të respektit të ndërsjellë”.
Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick ka thënë se taksa e re do të ishte shtesë e një sërë tarifash globale që SHBA-ja ka vendosur në fillim të këtij muaji, e që më pas janë pezulluar për 90 ditë.
“Ne kemi nevojë për ilaçet tona dhe kemi nevojë për gjysmëpërçues dhe elektronikë që do të prodhohen në Amerikë”, ka deklaruar ai.
Të shtunën, një njoftim doganor amerikan zbuloi se telefonët e mençur, kompjuterët dhe disa pajisje të tjera elektronike do të përjashtoheshin nga tarifa 125% për mallrat që hyjnë në vend nga Kina.
Por Trumpi ka thënë më pas në mediat sociale, se nuk ka asnjë përjashtim për këto produkte dhe i quajti raportet e tilla të rreme
Pajisjet e përditshme si telefonët e mençur dhe laptopët mbështeten në gjysmëpërçuesit, të cilët janë pjesë të vogla dhe të fuqishme të teknologjisë që formojnë blloqet bazë të ndërtimit të llogaritjes moderne.
Trumpi ka vendosur një tarifë prej 54% për importet e produkteve nga Kina në fillim të prillit, përpara se të përshkallëzohej në normën aktuale prej 145%.
Ndërkohë, Kina ka vendosur taksë prej 34% për mallrat amerikane, përpara se ta rriste atë në 84% dhe më pas në 125%, të cilat kanë hyrë në fuqi të shtunën.
Në shpalljen e tarifave të saj të fundit, ministria e Tregtisë e Kinës ka thënë javën e kaluar se do të “luftonte deri në fund” nëse SHBA-ja “insiston të provokojë një luftë tarifore ose luftë tregtare”.