
Kosova së fundmi ka pranuar njohjen nga Sudani, i cili është shteti i 119-të me radhë që ka njohur pavarësinë e vendit tonë.
E ky vendim i Sudanit, nuk i pëlqeu Serbisë, ku Ministria e Punëve të Jashtme tha se ky vendim është marrë në rrethana të “pasigurisë dhe mungesës së legjitimitetit të pushtetit”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës. MPJD ka theksuar se deklarate e Ministrisë së Jashtme të Serbisë, përbën një shkelje të qartë dhe të papranueshme të detyrimeve të Serbisë sipas Marrëveshjes së Brukselit të lehtësuar nga BE-ja në shkurt 2023 dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit të marsit 2023.
“Kjo paraqet një përpjekje të papranueshme për të ushtruar presion ndaj qeverisë sovrane të Sudanit, duke cenuar të drejtën legjitime të këtij shteti për të marrë vendime të pavarura në kuadër të politikës së jashtme”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
MPJD tutje shton se veprimet e Serbisë drejtpërdrejt bien ndesh me dispozitat kyçe të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Neni 1 i Marrëveshjes së Brukselit obligon të dy palët të “zhvillojnë marrëdhënie normale, fqinjësore të mira me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.”
“Duke kundërshtuar vendimin sovran të Sudanit për të njohur Kosovën, Serbia jo vetëm që dështon të përmbushë këtë obligim, por aktivisht punon për të penguar angazhimin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.
Ministria e Jashtme e Kosovës shton se ky nuk është një rast i izoluar, dhe se fushata e vazhdueshme e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë është cilësuar nga Bashkimi Evropian si shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, siç është reflektuar në deklaratat publike të kohës se fundit pas votës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në prill 2023.
“Zgjerimi i kësaj fushate në kontestimin e njohjeve bilaterale si ajo nga Sudani, zbulon sërish që Serbia përdor një strategji të qëllimshme për të minuar shtetësinë e Kosovës dhe ka një mospërfillje të vazhdueshme ndaj parimeve të dialogut konstruktiv dhe stabilitetit rajonal”, thuhet mes tjerash në reagim.
MPJD ka shtuar se vendimi i Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës është politikisht i përgjegjshëm, historikisht i justifikuar dhe ligjërisht i qëndrueshëm, në përputhje me Mendimin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
“Përpjekja e Serbisë për të diskredituar vendimin sovran të Sudanit është jo vetëm shkelje e angazhimeve të saj në kuadër të dialogut, por edhe një fyerje ndaj sovranitetit të Sudanit dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Republika e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj qeverisë dhe popullit të Sudanit për qëndrimin e tyre parimor. Ne presim me padurim të vendosim marrëdhënie diplomatike dhe të eksplorojmë mundësitë për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët, të mbështetura në respekt dhe vlera të përbashkëta”, thuhet në reagim.
MPJD ka kërkaur nga Bashkimi Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të adresojnë shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë të përmbushë obligimet e saj, të respektojë sovranitetin e shteteve të tjera dhe të ndalë të gjitha veprimet që pengojnë paqen, normalizimin dhe stabilitetin afatgjatë rajonal. Së fundi, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe aktorëve ndërkombëtarë që të forcojnë mekanizmat e mbikëqyrjes, me qëllim të garantimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit nga Serbia, duke ndërtuar një proces dialogu që çon drejt njohjes së ndërsjellë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, thuhet në reagim. /Telegrafi/