LajmeMaqedoni

RMV, nga e premtja deri në orën 10:00, të gjitha çmimet në markete dhe farmaci duhet të përditësohen

Nga data 18 prill, të gjithë shitësit me pakicë në vend do të jenë të detyruar të publikojnë çmimet e përditësuara të produkteve që ofrojnë në dyqanet e tyre çdo mëngjes, jo më vonë se ora 10:00. Kjo buron nga Rregullorja e re e miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës më 3 prill, e cila rregullon në mënyrë të detajuar obligimet lidhur me transparencën e çmimeve në shitjet me pakicë, transmeton Portalb.mk.

Çdo produkt duhet të publikohet me të dhënat e mëposhtme:

Emri i produktit (duke përfshirë markën dhe modelin)

Cmimi i rregullt i shitjes me TVSH

Çmimi për njësi matëse (kilogram, litër, metër)

Përshkrimi i produktit dhe disponueshmëria aktuale

Çmimi me zbritje, nëse promovimi është aktiv

Kohëzgjatja e zbritjes ose promovimit

Ky informacion duhet të përditësohet çdo ditë pune, për çdo objekt veç e veç. Në rast të një gabimi teknik, tregtari është i detyruar ta korrigjojë atë brenda 24 orëve.

Kush përfshihet dhe kush përjashtohet?

Detyrimi vlen për të gjithë shitësit me pakicë me pika të shumta dhe një gamë të gjerë produktesh. Mikro-tregtarët dhe tregtarët individualë janë të përjashtuar nga ky detyrim. Tregtarët kanë 45 ditë kohë për të rregulluar veprimtarinë e tyre, pra deri më 18 prill 2025. Akti nënligjor që e rregullon këtë është publikuar dhjetë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit – më 14 mars.

Ndërkohë, një duzinë kompanish IT kanë ofruar tashmë zgjidhje të platformës së internetit, përmes të cilave konsumatorët do të mund të monitorojnë çmimet e produkteve dhe ndryshimet në kohë reale. Zhvillimi i një sistemi të tillë kushton nga 30.000 deri në 1 milion denarë – varësisht nga madhësia e tregtarit – dhe mirëmbajtja mund të kushtojë disa qindra mijë denarë në muaj.

Edhe pse afati është zyrtarisht 18 prilli, jozyrtarisht, mendohet një shtyrje deri në 1 maj për shkak të sfidave teknike dhe nevojës për përshtatje.

Mbikëqyrje inspektuese dhe dënime

Me ndryshimet e ligjit parashihen edhe dispozita të reja kundërvajtëse, përkatësisht dënime për tregtarët që nuk veprojnë në përputhje me rregulloret. Mbikëqyrja do të kryhet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, i cili do të marrë kompetenca të zgjeruara për kontroll dhe veprim.

Një rregullore e tillë tashmë ekziston në Kroaci, Itali dhe Izrael, dhe tani Maqedonia po bën një hap në atë drejtim – në mënyrë që të mbrojë blerësit vendas nga çmimet e pakontrolluara dhe zgjedhjet e painformuara.

Kujtojmë që më 20 shkurt 2025 hyri në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzheve në 102 grupe produktesh, pra mbi 1000 produkte me pakicë dhe shumicë.

 

 

 

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk