
Maqedonia ka më shumë se 3 muaj që e ka vonuar përfundimin e marrëveshjes për përgatitjen dhe ndërtimin e korridorit 8, duke rrezikuar ndërtimin në kohë të projektit jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë kolektive të NATO-s dhe BE-së, njoftoi Ministria bullgare e Transportit dhe Lidhjeve.
Reagimi vjen pasi Ministria e Transportit të RMV-së akuzoi palën bullgare për shtrembërim të fakteve në lidhje me ndërtimin e korridorit 8, raporton media bullgare “BGNES”.
“Më 15 janar 2025, Republika e Bullgarisë i propozoi Republikës së Maqedonisë së Veriut një projekt-marrëveshje ndërqeveritare për përgatitjen dhe ndërtimin e një objekti tuneli hekurudhor ndërkufitar që do të lidhë rrjetet hekurudhore të dy vendeve.
Kjo është e vetmja çështje e hapur mes dy vendeve në fushën e transportit hekurudhor, e cila, megjithatë, nuk është vetëm e një rëndësie dypalëshe, por përfaqëson edhe një element të rëndësishëm të arkitekturës së sigurisë kolektive të NATO-s dhe lidhjes ndërmjet vendeve anëtare të BE-së”, thuhet në reagim.
Nga atje shtojnë se Bullgaria është e gatshme të nënshkruajë menjëherë Marrëveshjen dhe të fillojë aktivitetet urgjente për ndërtimin e objektit të tunelit. Nëse Shkupi ka ndonjë kundërshtim për tekstin e propozuar, Bullgaria është e gatshme të diskutojë për tejkalimin e tyre, thekson ministria bullgare.