
Një pamje që është bërë gjithnjë e më e shpeshtë – nxënësi rri i ulur në bangë, me kokën e ulur, vështrimin e ka të fiksuar në ekran, me nervozizëm lundron nëpër përmbajtjet në celular. Mësuesi flet, por fjalët nuk arrijnë deri tek ai. Vëmendja ka kohë që është zhvendosur te “TikTok”-u, tek njoftimi i ri në “Snapchat” ose “meme” e re që qarkullon në bisedën në grup. Kjo pamje është kaq e përditshme sa që nuk shkakton më habi, e është ripunuar me dhjetëra herë në përpjekje për të folur hapur për atë që vazhdimisht po e evitojmë – se si duket sot rritja nëpërmjet ekranit, shkruan Meta.mk.
Është vërtetuar se përdorimi i tepërt i telefonit shoqërohet me ulje të arritjeve në mësim dhe ndikon negativisht në shëndetin mendor. Sipas mjekëve përdorimi i afatgjatë dhe i tepruar i telefonit shkakton probleme në zhvillimin e personalitetit, shkakton ankth, depresion dhe sulme paniku.
Studiuesit Altman, Trafton dhe Hambreck vërtetojnë se edhe një shpërqendrim prej tre sekondash – siç është zgjatja e dorës drejt telefonit tuaj – mjafton për ta çrregulluar ndjeshëm përqendrimin gjatë kryerjes së një detyre mendore. Një ndërprerje e tillë jo vetëm që ndikon në detyrën aktuale, por edhe e vështirëson kryerjen e detyrave pasuese, sidomos në klasë. Provat empirike tregojnë se nxënësit që i përdorin telefonat gjatë orës së mësimit jo vetëm që marrin më pak shënime, por arrijnë edhe rezultate më të ulëta akademike në krahasim me ata që nuk i përdorin telefonat.
Edhe kur nxënësit pretendojnë se mund të bëjnë “më shumë detyra njëkohësisht”, që do të thotë se mund të dëgjojnë një leksion dhe të dërgojnë mesazhe në të njëjtën kohë, hulumtimi tregon se ata kanë nevojë për një përpjekje më të madhe mendore për ta kujtuar informacionin. Një studim tjetër zbuloi se edhe kur telefoni nuk është në përdorim, prania e tij pranë, në një tavolinë, në xhep ose në një çantë, shpërqendron ndjeshëm dhe redukton kapacitetin për të mësuar dhe mbajtur mend.
Fëmijët bëhen ekspertë për video të shkurtra, por humben në detyra më të gjata, në lexim, në bisedë.
Shëndeti mendor nuk mund të lihet jashtë kësaj historie. Psikiatrja D-r. Ereblina Hoxha Jusufi, specialiste e psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve nga Klinika e Psikiatrisë, thotë se ka raste kur të rinjtë vijnë me prindërit për psikoedukim për shkak të ankthit, depresionit, problemeve me gjumin, pamundësisë për të funksionuar pa telefon.
“Fëmijët dhe të rinjtë janë të varur rëndë nga telefonat e tyre. Kjo shkakton probleme me të ngrënit, me gjumin e pastaj ata kanë probleme me kryerjen e detyrave të shkollës në kohë”, thotë Jusufi.
Por, shton ajo, duhet ditur se çdo gjë fillon nga shtëpia, prindërit duhet të ndërgjegjësohen dhe t’i largojnë fëmijët nga telefoni sepse kjo më vonë krijon probleme në zhvillimin e personalitetit, duke shkaktuar ankth dhe depresion.
“Mediat sociale kanë edhe efekte negative edhe pozitive, por përdorimi i tyre duhet të jetë i kufizuar. Fëmijët përballen edhe me bullizmin në internet si pasojë e përdorimit të aplikacioneve si Facebook, “TikTok”, thotë Hoxha Jusufi.
Meta.mk ka shkruar se në raportet e fundit të Kombeve të Bashkuara rekomandohet ndalimi i telefonave smart në shkolla për ta përmirësuar mësimin dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga bullizmi në internet.
Kërkesa për ndalimin e telefonave smart duhet ta përcjellë mesazhin se teknologjia, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale, gjithmonë duhet t’i nënshtrohet një “vizioni me qendër tek njeriu” të edukimit dhe nuk duhet ta zëvendësojë kurrë ndërveprimin personal me mësuesit.
Në Francë telefonat celularë në shkollat fillore dhe të mesme janë ndaluar që nga viti 2018. Në Holandë ndalesa për përdorimin e telefonave smart në shkollat fillore dhe të mesme hyri në fuqi në janar të këtij viti. Në Itali përdorimi i celularëve në klasë është i ndaluar edhe për qëllime mësimore, bazuar në një dekret ministror. Duke filluar nga ky vit akademik, studentët në Greqi gjatë qëndrimit në shkollë janë të detyruar t’i mbajnë celularët në çantat e tyre.
Është e qartë se prania dhe përdorimi i celularëve nga nxënësit nuk është vetëm një çështje disipline apo zakoni, por një sfidë serioze që ndikon në zhvillimin e tyre, aftësinë për t’u fokusuar dhe stabilitetin emocional. Edhe pse teknologjia ofron përparësi të shumta, përdorimi joadekuat i saj, sidomos në kontekstin mësimor, mund të ketë pasoja afatgjata në cilësinë e të mësuarit dhe shëndetin mendor. Nuk bëhet fjalë vetëm për produktivitet akademik të reduktuar, por edhe për një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë mendojnë, lidhen me botën dhe si e ndërtojnë personalitetet e tyre.