Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” kërkon nga udhëtarët që udhëtojnë me Lufthansa që të jenë në kontakt me përfaqësuesit e kësaj kompanie në rast të anulimit apo vonesës së fluturimeve për shkak të grevës së paralajmëruar nga kompania gjermane e fluturimeve nga data 27-28 korrik.
“Dëshirojmë t’ju informojmë se një tjetër informacion u publikua sot nga Deutsche Lufthansa, se stafi tokësor i kësaj kompanie ka paralajmëruar grevë nga data 27 korrik 03:45 deri më 28 korrik, ora 06:00. Kjo pritet të ndikojë në operimet e kompanisë Lufthansa në aeroporte të ndryshme në të gjithë vendin”, thuhet në njoftim.
Gjatë kësaj kohe Lufthansa ka të parapara disa fluturime për në ANP “Adem Jashari” LKIA: nga/për në Munih, Duseldorf, Shtutgart, Frankfurt, dhe udhëtarët tanë që udhëtojnë me këtë linjë ajrore në datat e lartpërmendura mund të kenë anulime, vonesa të mëdha, apo edhe bagazh të humbur/vonuar.
“Lusim udhëtarët që udhëtojnë me Lufthansa, të jenë në kontakt me përfaqësuesit e kompanisë ajrore nëse ndodh ndonjë anulim/vonesë e fluturimit të tyre”.