
Konkursi për regjistrim në shkollat e mesme për vitin 2025/26 sërish ka në fokus arsimin profesional. Nga gjithsej 27,600 vende të planifikuara për regjistrim në vitin e parë, 7,900 janë në dispozicion për gjimnazet dhe rreth 18,000 për shkollat profesionale, nga të cilat 6,700 për arsimin e dyfishtë. Vendet e tjera të mbetura u takojnë shkollave të artit dhe Gjimnazit të Sportit. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se është rritur numri i paraleleve duale në shkolla të caktuara në përputhje me analizat e tregut të punës në komuna dhe varësisht se sa kompani janë të interesuara.
“Sigurisht që ky proces po përmirësohet dhe pres që ky vit të jetë në një nivel vërtet të kënaqshëm. Numri i kompanive po rritet gjithashtu, mbi 550 kompani tashmë janë të përfshira në mënyrë aktive, pasi të përfundojë konkursi do të shohim se sa të tjera do të përfshihen. Por, sipas informacioneve që marr, ka interes për paralele duale. Me përfundimin e arsimit të mesëm profesional, ata mund të hyjnë menjëherë në tregun e punës ose të vazhdojnë shkollimin”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk