
Sot do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive dhe në rend dite është zgjedhja e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka caktuar për sot vazhdimin e seancës pasi të mërkurën për të tretën herë Lëvizja Vetëvendosje nuk i pati votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.
Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk kanë emër tjetër për kreun e Kuvendit, partitë opozitare kanë theksuar se Haxhiu nuk është person unifikues dhe si e tillë nuk do të votojnë për kryeparlamentare.
Ky është vazhdimi i gjashtë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV të enjten nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuara e tyre për kryeparlamentare.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, e ka konfirmuar se ka pasur takime mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt për marrëveshje koalicioni.
Ai gjatë një interviste ka thënë se janë duke biseduar me Nismën për votimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. /Telegrafi/