
Kina duket e gatshme të bëjë një hap prapa në luftën e saj tarifore me SHBA-në, sipas Bloomberg, duke konsideruar shtyrjen e taksës prej 125% për një sërë produktesh amerikane.
Sipas Bloomberg, shtyrja e taksës do të jetë gjithashtu për importet nga SHBA për pajisjet mjekësore, etanin (i cili është i nevojshëm për funksionimin e disa fabrikave) dhe dhënien me qira të avionëve.
Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë reagim nga Ministria kineze e Financave.
Përjashtimet që Kina po shqyrton pasojnë lëvizje të ngjashme nga Shtetet e Bashkuara, të cilat përjashtuan produktet elektronike nga tarifa prej 145% që Trump vendosi për importet kineze në fillim të këtij muaji.
Siç vë në dukje Bloomberg, “hapat pas” nga të dyja palët pasqyrojnë natyrën e ndërlidhur të dy ekonomive më të mëdha në botë, me disa industri kryesore të paralizuara pas përshkallëzimit të luftës tregtare.
Sipas Bloomberg, autoritetet kineze u kanë kërkuar kompanive në sektorë vulnerabël që të paraqesin kodet e produkteve amerikane që duhet të përjashtohen nga tarifa e re.
Të njëjtat lista thuhet se përfshijnë kimikate dhe komponentë kyç për prodhimin e çipave, ndërsa gazeta Caijing raporton se Pekini po përgatitet të heqë tarifat shtesë për të paktën tetë produkte të lidhura me gjysmëpërçuesit.
Kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se tarifat do të reduktoheshin “dukshëm” dhe premtoi një ton më “të butë” në negociata./vizionplus.tv