
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar VV-në për situatën në Kuvend, duke thënë se është e turpshme se si për ‘’teke të një personi të një kandidati të një deputeteje me mbetë peng shteti, kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës për teka të një partie dhe të një njeriu e të një kandidat’’, shkruan Gazeta Express
Krasniqi ka thënë edhe se fakti që Kurti ‘’s’mundet me qenë kryeministër i ardhshëm është duke e mbajte peng shtetin dhe institucionet edhe Kuvendin’’.
‘‘Kjo vërtetë është tashmë e pakuptimtë është e turpshme që për teke të një personi të një kandidati të një deputeteje me mbetë peng shteti, kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës për teka të një partie dhe të një njeriu e të një kandidati. Sikur të donin zgjidhje kanë pas mundësi edhe sot, të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër që ta ndërrojnë kandidatin, sepse nuk imponohet kandidati kur se ki shumicën. Problemi themelor është pra që këta nuk kanë shumicë, dhe fakti që Albin Kurti s’mundet me qenë kryeministër i ardhshëm është duke e mbajte peng shtetin dhe institucionet edhe Kuvendin, kjo është e papranueshme’’, ka thënë ai.
Tutje, ai ka deklaruar se ka edhe deputetë të tjerë nga VV-ja si Haxhiu, që PDK-ja s’i voton, dhe se Kurti qëllimshëm po e mban bllokadën.
‘‘Sikur zonja Haxhiu ka edhe tjerë aty në radhët e VV-së që ne nuk i votojmë. Ka mjaftueshëm, ka kolegë të opozitës që kanë dhanë emra të caktuar që i votojnë. Albin Kurti po don qëllimshëm me majt bllokadën’’, ka deklaruar ai.