
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë vendim që të heqin vizat për Maqedoninë e Veriut. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, gjatë vizitës së fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, është arritur një marrëveshje konkrete për heqjen e vizave për qytetarët maqedonas që udhëtojnë drejt këtij shteti.
“Vizita e fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe solli rezultatin e parë konkret. Me kërkesën tonë, ata po i heqin vizat që kërkoheshin për të udhëtuar në këtë vend! Së shpejti, zbatimi konkret i vendimit për udhëtimin pa viza do të ndikojë në një ekonomi më të fortë, udhëtime të lira dhe forcimin e partneritetit të ndërsjellë. Ne po luftojmë në çdo mënyrë të mundshme për të ndihmuar qytetarët tanë, dhe për të sjellë ndryshime për të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar Mickoski.
Ai theksoi se kjo është vetëm një nga përpjekjet për të sjellë ndryshime pozitive për qytetarët dhe për një të ardhme të përbashkët më të mirë.(INA)