
Në vazhdën e dilemës se kush do të largohet e kush do t’i bashkëngjitet qeverisë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela deklaron që nuk ka realizuar e as ka të planifikuar ndonjë takim me kryeministrin Hristijan Mickoski. Në rast të një takimit të tillë, Sela thotë se do të hapë çështjet me interes për shqiptarët, fillimisht votimin e ndryshimeve kushtetuese, çështjen e shqipes, por edhe vendimmarrjen në Gjykatën Kushtetuese me badenter. Rreth këtyre çështjeve, kreu i ASH-së fton të gjithë faktorin politik shqiptar në vend të bashkohen.
“Vetëm se të jeni të sigurt, në qoftë se realizohet një takim i tillë, Ziadin Sela dhe Aleanca për Shqiptarët është e interesuar të diskutojë për tema reale. Zhbllokimi sa më shpejtë dhe ndryshimet kushtetuese sa i përket zhbllokimit të anëtarësimit të vendit në Bashkimit Evropian, në kuadër të këtyre ndryshimeve kushtetuese, natyrisht që temë shumë e rëndësishme është përdorimi i gjuhës”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
I pyetur konkretisht nëse do të përfshihet ose jo partia e tij në qeveri, pas largimit eventual të Arben Taravarit nga ekzekutivi, Sela përgjigjet:
“Nuk vuan Aleanca për Shqiptarët për qeverisje. Çdoherë e ka pasur këtë mundësi, bëhet pjesë e qeverisë jo përkundrazi ne kemi lëshuar”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Fronti Evropian, në të cilin për momentin është pjesë Sela, për momentin nuk ka diskutuar për pranimin e mundshëm të Taravarit në koalicion, thotë Sela. Por nëse hapet kjo temë, ai do të ketë qëndrimin e tij. Megjithatë, Sela shpreh mosbesin ndaj veprimeve të Taravarit.
“Unë nuk është që i besoj më veprimeve politike të njeriut të tillë sepse kjo situatë ngjanë shumë me taktizimet që i bënte përpara një viti, pastaj në moment të fundit shkruajti një status fejsbuku dhe iku. Kështu që mjerë ai politikan që vazhdon t’i besoj akoma tij dhe mjerë ai qytetar që vazhdon t’i besoj akoma atij. Kur kështu e bëri me mua që kam pyetur veten çka ka ndodhur, çfarë i kam bërë këtij njeriu e kam bërë kryetar komune dy herë radhas, ministër pastaj”, theksoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Sela këto qëndrime i bëri të ditura gjatë takimit me gazetarët në përvjetorin e tetë të 27 Prillit, ngjarjes së dhunshme në Kuvend, nga e cila, ai rezultoi me lëndime serioze./Alsat.mk