
Rebelët jemenas, Huthi, më 28 prill pretenduan se një sulm ajror i kryer nga Shtetet e Bashkuara, që goditi një burg ku po mbaheshin migrantë afrikanë, ka vrarë të paktën 30 persona. Ushtria amerikane nuk ka komentuar për këto pretendime.
Sulmi ajror në provincën Sada të Jemenit, bastion i rebelëve Huthi, është incidenti më i fundit në luftën dhjetëvjeçare në Jemen, ku janë vrarë edhe migrantë afrikanë nga Etiopia dhe vende të tjera, të cilët rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar nëpër Jemen për të kërkuar punë në Arabinë Saduite fqinje.
Ky sulm me gjasë do të rrisë pikëpyetjet lidhur me aktivitetin e fushatës amerikane që shënjestron caqet e rebelëve, teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po negocion me aleatin kryesor të rebelëve, Iranin, për programin bërthamor të Teheranit që po avancon me shpejtësi.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, tha përmes një deklarate, para se të dilte lajmi për sulmin ajror, tha se synon të mbrojë politikën e saj të mbrojtjes, pa dhënë detaje për fushatën e saj ajrore.
“Për të ruajtur sigurinë operacionale, ne me qëllim nuk zbulojmë informacione për operacionet tona aktuale dhe që do t’i ndërmarrim në të ardhmen”, tha Komanda Qendrore amerikane.
Televizioni i rebelëve Huthi, al-Masirah ka publikuar pamje pas sulmit. Ky televizion raportoi se afër 100 migrantë ishin të ndaluar në burgun që u godit dhe më pas raportoi për 30 të vrarë.
Numri i viktimave nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Ushtria amerikane ka pranuar më herët se ka kryer mbi 800 sulme në Jemen, që kur ka nisur fushatën ajrore kundër rebelëve Huthi.
SHBA-ja po sulmon në Jemen për shkak të sulmeve të rebelëve Huthi ndaj anijeve në Detin e Kuq, rrugë kyç për tregtinë globale, por edhe për shkak të sulmeve ndaj Izraelit.