
Katalanasja “Sport”, media pranë blaugranëve të Hansi Flick, ka bërë një paralajmërim: “Rrezik për Barcelonën, ‘madridisti’ Marciniak mund ta gjykojë ndeshjen e kthimit në Milano”.
Shkrimi në fjalë vazhdon: “UEFA do të bëjë publike të dielën e ardhshme emrin e gjyqtarit që do të drejtojë ndeshjen e kthimit mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, por nga Polonia vjen një paralajmërim i fortë.
Sipas medias “Meczyki”, favorit absolut për këtë detyrë është Shimon Marçiniak, arbitri kontrovers që së fundi u përfshi në polemikën e madhe për penalltinë e anuluar të Julián Álvarez kundër Real Madridit për ‘prekje të dyfishtë’ të topit. Ky mund të shihet si shpërblim i UEFA-s për një gjyqtar që, pavarësisht kritikave të mëdha, ka vazhduar të drejtojë takime të nivelit të lartë. Nga ambienti katalanas nuk ka ende një konfirmim zyrtar, por emri i Marçiniak ka ngjallur shqetësim të madh te Barça, sidomos për shkak të së kaluarës së tij.
I fundit është akuzuar shpesh për favore të mundshme ndaj Real Madridit. Në dy sezonet e fundit, ka marrë shumë kritika për vendime të dyshimta në ndeshje kyçe që përfshijnë klubin madrilen. Në sezonin e kaluar, nuk lejoi një gol të De Ligt në gjysmëfinalen Real Madrid-Bajern Munih; ndali aksionin për një pozicion jashtë loje, pa lejuar që loja të vazhdonte me kontroll të mundshëm nga VAR-i, edhe pse pamjet tregonin se goli duhej akorduar. Bajerni protestoi formalisht, por pa rezultat.
Ndërkohë, pas ndeshjes AtleticoMadrid-Real Madrid në këtë sezon, ku Marciniak anuloi një penallti të transformuar në gol nga Álvarez për ‘prekje të dyfishtë’, polaku u rikthye në skenë me ndeshjen Gjermani-Itali në Ligën e Kombëve.
Marçiniak është gjithashtu gjyqtari që ka arbitruar dy nga disfatat më të thella të Barcelonës në Ligën e Kampionëve vitet e fundit: 3-0 ndaj Juventusit dhe 4-0 ndaj PSZH-së. Për këtë arsye, shumë në Katalonjë e shohin emërimin e tij të mundshëm si ogur të keq për ndeshjen vendimtare në ‘San Siro’.