
Kryeministri Hristijan Mickoski garanton se nuk do të tolerohen manipulime me çmimet nga ana e prodhuesve, shpërndarësve dhe shitësve, pavarësisht se në fund të muajit prill përfundoi kufizimi i marzhës. Sipas kreut të ekzekutivit, janë duke e ndjekur situatën dhe do të ketë kontrolle të shtuara nga ana e inspektorëve, për t’i parë nëse tregtarët shërbehen me truke.
“Personalisht bisedova edhe me ministrin edhe me drejtorin e Inspektoratit të Tregut për kontrolle të përforcuara, jo vetëm te tregtarët, por edhe të shpërndarësit dhe prodhuesit. Të shohim, mos ka gjatë faturave hyrëse sërish truke. Jo vetëm ato që i shesin në raftet e tyre në dyqanet e tyre, kështu që nuk do të lejohet ajo. Por, është mirë që në 2 muajt e fundit kishim zbatim të disiplinuar të masës, me atë që solli deri tek ulja e çmimeve dhe deri te qetësimi i inflacionit me çka për 1 muaj kemi edhe inflacion negativ, respektivisht deflacion prej 1,3%”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.