
Ministri i Jashtëm i Francës tha se Parisi “e dënon shumë ashpër” fushatën e re ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ushtria izraelite tha se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj, pasi kabineti i sigurisë i vendit miratoi një plan që, sipas një zyrtari izraelit, do të përfshijë “pushtimin e Rripit të Gazës dhe mbajtjen e territoreve”. “Është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm francez, në një intervistë në radio, duke shtuar se qeveria izraelite është “në shkelje të ligjit humanitar”. Vendimi i Izraelit vjen ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht për një katastrofë humanitare në terren, me rrezikun e urisë që rikthehet pas më shumë se dy muajsh bllokadë totale izraelite. /Alsat.mk