
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka folur për media pas dështimit të dymbëdhjetë me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje(VV) për bllokim të institucioneve dhe abuzim me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Krasniqi tha se situata është e papranueshme dhe se Vetëvendosje po e mban peng shtetin për shkak të insistimit të saj në një kandidat të vetëm – Albulena Haxhiun.
Sipas tij, zgjidhja është e qartë: duhet të zëvendësohet kandidatja në mënyrë që të mundësohet funksionimi i institucioneve.
“Po e shihni që po vazhdon abuzimi me të drejtën kushtetuese për të propozuar një kandidat. VV po e mban peng procesin e konstituimit të institucioneve, dhe kjo është një situatë që nuk e kemi imagjinuar ndonjëherë,” është shprehur Krasniqi.
Krasniqi tutje shtoi se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, vonesa në formimin e Kuvendit është një shpërfillje e verdiktit të qytetarëve.
“E ftoj deputetin Kurti të përgjigjet sinqerisht: a është më e rëndësishme për të Albulena Haxhiu, apo një milion qytetarët që votuan?” – ka thënë Krasniqi.