LajmeSport

Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Çellsi tallet brutalisht me Arsenalin

Çellsi i hodhi kripë plagëve të rivalit të tyre lokal, Arsenalit pasi “Topçinjtë” u eliminuan nga Liga e Kampionëve nga Paris Sen Zhermeni.

Largimi i Arsenalit ia mbajti Çellsit pozicionin si i vetmi klub londinez që ka fituar një Ligë të Kampionëve – në sezonet 2011/12 dhe 2020/21 – dhe ata nxituan të postonin në rrjetet sociale pas ndeshjes së mbrëmshme.

“Nesër kthehemi në shtëpi. Synojmë të arrijmë në një finale evropiane për herë të tetë në historinë tonë”, shkroi Çellsi në postimin e tyre, si një referencë për ndeshjen e tyre të dytë gjysmëfinale të Ligës së Konferencës kundër Djurgardens, e cila do të zhvillohet (e enjte) nga ora 21:00.

Por, disa tifozë mendojnë se ky postim ishte një tallje ndaj Arsenalit.

“Klubi im po tallet me Arsenalin”, “Koha e këtij postimi është djallëzore” dhe “Tallje e pajustifikuar, por unë e adhuroj”, ishin disa nga komentet e tifozëve.

Nëse Çellsi vazhdon ta fitojë këtë garë, ata do të bëhen skuadra e parë angleze që fiton të tre garat kryesore evropiane për klube, pasi më parë kanë fituar Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Skuadra e Enzo Mareskas hyn në këtë ndeshje me një avantazh prej tre golash, pasi fitoi 4-1 në Suedi javën e kaluar. Ata do të përballen me fituesin e ndeshjes Fiorentina-Real Betis, ku spanjollët kanë avantazh 2-1 nga ndeshje e parë.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk