LajmeRajon

Gërvalla: Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën, absurdë propozimi i LDK-së për qeveri tranzicionale

Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla tha se “opozita nuk ka asnjë arsye për të vazhduar bllokadën në Kuvend”.

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, të premten më 9 maj, Gërvalla e quajti absurd propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale.

“Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën, mundësitë janë për ta zhbllokuar që sot, ishin për ta zhbllokuar sot, mirëpo nuk u shfrytëzuan, madje u shfrytëzua foltorja e Kuvendit edhe për të dhënë deklarata që edhe në vazhdimësi do të vazhdojë të mbetet e bllokuar. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka alternativë të Kuvendit, dihet qartë se kush i bënë propozimet, si bëhen propozimet dhe si shkon procesi mirëpo deri tani ende nuk kemi asnjë progres në këtë fushë“, tha ajo.

Veprimet e partive të tjera, Gërvalla i quajti “filma jo kreativ dhe pa fantazi”.

“Të gjitha janë këto filma jo kreativ edhe pa fantazi sepse gjithkush e di që një kuvend i cili nuk është i konstituuar nuk mund të merret me trajtimin e tyre”, tha ajo.

Gërvalla foli edhe për një ftesë të mundshme nga presidentja për takim konsultativ për zhbllokim të ngërçit politik.

“Ta shohim ftesën, ta shohim temën për të cilën na fton për të biseduar dhe do japim përgjigjen tonë“, deklaroi ajo.

E pyetur për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla tha se mos konstituimi i Kuvendit e bënë më të lehtë që mos të trajtohet kjo temë në këtë fazë.

“Nuk dua të them se po të ishte konstituuar Kuvendi i Kosovës, patjetër do të ishte anëtarësuar tani në maj, mirëpo ia bëjmë gjithkujt të lehtë që nuk do të na mbështesë në anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës ia bëjmë shumë të lehtë të mos e trajtojë këtë temë në këtë fazë“, tha ajo.

Lidhur me paralajmërimin e AAK-së se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese kalimin nga votimi i hapur në të fshehtë në mes të procesit të votimit, Gërvalla tha se “nëse kanë argumente të mjaftueshme ta dërgojnë në Kushtetuese”.

Ajo tutje, tha se brenda LDK-së ka njerëz që do i bëjnë presion Abdixhikut për lëvizje pozitive.

“Dua ta besoj, brenda LDK-së dhe jashtë saj, ka ende njerëz që mendojnë përtej interesit personal, edhe që ata njerëz do ta rrisin presionin ndaj kryetarit Abdixhiku që LDK-ja të bëjë lëvizje pozitive në të mirë të Kosovës”, tha Gërvalla. /kp/

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk