Monika Kryemadhi përmes një deklaratë për mediat akuzoi Veliajn dhe Bashkinë e Tiranës se kishte dijeni që në 2016 për kërkesën për Inceneratorin e Tiranës, pasi kishte dy përfaqësues në komisionin për dhënien e koncesionit.
Ish drejtuesja e LSI deklaroi se kryebashkiaku i Tiranës kishte dhënë dakordësinë e bashkisë së Tiranës për të marrë përsipër 91 milionë euro pagesa, siç kërkohej paraprakisht për të vijuar procedurat koncesionare.
Ajo shtoi gjithashtu se Veliaj kishte gënjyer në deklaratat e tij para komisionit hetimor parlamentar mbi këtë cështje.
Kush ka sy të shohë, e kush ka veshë të dëgjojë, e kupton qartë rolin e kryetarit të bashkisë Tiranë, për të bërë të mundur realizimin e koncesionit korruptiv të Tiranës. Qytetarët presin që sy dhe veshë të ketë drejtësia. SPAK të mos shkojë me pushime, por të vendosë para drejtësisë shkelësit e ligjit dhe të gjithë procedurave shtetërore‘Erion Veliaj gënjen në komisionin hetimor: thotë se ka një gërmë G në Vendimin e Këshillit Bashkiak, kur JA, shikojeni, ku ka një gërmë G në këtë vendim që ai i referohet. Edhe sikur të kishte, ky vendim daton 1 muaj, pasi kontrata koncesionare ishte miratuar; dhe Erion Veliaj e kishte dhënë dakordësinë e Bashkisë Tiranë për të marrë përsipër 91 milionë euro pagesa, siç kërkohej paraprakisht për të vijuar procedurat koncesionare.
Kryemadhi në emër të Partisë së Lirisë shton se Bashkia Tiranës ka dhënë miratimin për projektin e studimit të Fizibilitetit, miratim i cili e ngarkon Bashkinë Tiranë me një pagesë që fillon me 1 milion Euro vitin e parë të projektit dhe përfundon me 5.1 milion euro në vitin e 30-të të projektit, në total 91,784,500 Euro pa Tvsh për 30 vitet e kohëzgjatjes së kontratës së koncesionit , pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
‘Në nenin 41 “Buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore dhe programi buxhetor afatmesëm” të Ligjit 139/2015, parashikohet se: 1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë dhe miratojnë buxhetin vjetor e programin buxhetor afatmesëm, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon sistemin buxhetor dhe financat vendore. 2. Për qëllime të transparencës e të respektimit të ligjit, buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore duhet të përmbajë: a) parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimet e propozuara në secilën kategori shpenzimesh, përfshirë shlyerjen e borxhit të njësisë së vetëqeverisjes vendore; Më tej akoma, në gërmën “dh” të nenit 54 “Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak” të Ligjit 139/2015 parashikohet se: Këshilli Bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca: dh) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë; Referuar bazës ligjore të sipërcituar rezulton e qartë dhe shterues fakti se Institucioni i Ngarkuar me Ligj për miratimin e buxhetit të Bashkisë është Këshilli Bashkiak dhe jo Kryetari i Bashkisë dhe rrjedhimisht, angazhimi i Kryetarit të Bashkisë Tiranë për të ngarkuar Buxhetin e kësaj Bashkie për 30 vitet e ardhshme me një pagesë prej 90 milionë euro është në kundërshtim të hapur me parashikimet ligjore të sipërcituara. Në këtë rast përgjegjësia ligjore bie drejtëpërdrejtë mbi kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pasi me veprimet e tij të drejtëpërdrejta ka shkeluar haptazi dhe nuk ka zbatuar detyrimet e parashikuara në bazën ligjore të sipërcituar, duke kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.’- shtoi ish-drejtuesja e LSI.
Teksa publikoi të tjera dokumenta mbi skandalin e Inceneratoreve, Kryemadhi kërkoi nga SPAK që të vendosë para drejtësisë shkelësit e ligjit dhe të gjithë provedurave shtetërore.
‘Me inceneratorin e Tiranës aq më shumë varfërohen qytetarët e Tiranë dhe të Shqipërisë. Disa ditë më parë, javën e kaluar kam dorëzuar në SPAK materiale të tjera sqaruese, duke plotësuar dosjen e inceneratorin e Tiranës. Edhe pse në këto muaj të nxehtë mund të jetë e vështirë për të punuar, vazhdoj me këmbëngulje për të vijuar hetimet. Sot do ju bëj me dije materialin që ia kam dorëzuar SPAK. Ia kam lehtësuar punën. E kam shpërndarë dhe në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare.Inceneratorët janë simboli i qeverisjes së vendit dhe koha nuk pret. Nuk duhet të ekzistojë asnjë hezitim, asnjë arsye për intimidim, asnjë konflikt interesi, me të afërm në punë, apo leje pallatesh në Tiranë, Durrës, apo në çfarëdo qyteti të vendit. Këto probleme i kishte drejtësia e vjetër, ndërsa ne presim, shpresojmë dhe do mbështesim me fakte, prova dhe angazhim të përditshëm, që prokurorët e SPAK të bëjnë detyrën dhe ti shërbehet mbi të gjitha interesit qytetar.’- u shpreh Kryemadhi.