LajmeMaqedoni

​ SÇE nënshkroi kontrata me 7 kompani për përkthimin e akteve të BE

“Përkthimi i mirë dhe cilësor nënkupton transponimin dhe zbatim të saktë të legjislacionit të Bashkimit Evropian, kurse në të njëjtën kohë gjuha maqedonase do të gëzojë statusin e gjuhës së barabartë dhe zyrtare të Unionit kur vendi ynë të bëhet anëtar i tij i plotë”, thotë Mariçiq.

Zëvendëskryeministri për integrime evropiane Bojan Mariçiq nënshkroi sot kontratat me shtatë operatorët ekonomikë, të cilët janë angazhuar për përkthim shtesë të akteve të Bashkimit Evropian në gjuhën maqedonase.

Deri tani, përkthimet i ka kryer rregullisht Sekretariati për Çështje Evropiane, por pas konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë me BE-në, me anë të një thirrjeje publike janë angazhuar edhe shtatë kompani të tjera që të ndihmojnë me përkthyesit e tyre.

“Zyrtarizimi i sotëm i bashkëpunimit me operatorët ekonomikë, në një nga pjesët kyçe për integrimin tonë të suksesshëm evropian të vendit, e që është përkthimi i akteve ligjore të Bashkimit Evropian, vjen në momentin e duhur kur i hapëm negociatat me Bashkimin Evropian dhe kur duhet të punojmë edhe më intensivisht për të harmonizuar legjislacionin tonë kombëtar me ligjet e BE-së”, thotë Mariçiq.

Sipas Mariçiqit, procesi i përkthimit të së drejtës evropiane në gjuhën maqedonase po zhvillohet pa ndërprerje, sepse edhe pas hapjes së negociatave me Unionin edhe pas fillimit të procesit të skriningut, vendi duhet të punojë njëkohësisht në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me ligjet e BE-së.

“Suksesi i skriningut dhe kohëzgjatja e tij varet në masë të madhe nga harmonizimi, gjegjësisht nga procesi i marrjes dhe aplikimit të acquis. Ky kusht për anëtarësim është identik për të gjitha vendet kandidate dhe rrjedh nga sistemi juridik i BE-së, i cili përcakton se të gjitha gjuhët zyrtare të shteteve anëtare janë gjithashtu gjuhë zyrtare të Unionit dhe se të gjitha versionet gjuhësore të akteve ligjore janë origjinale dhe ekuivalente”, ka thënë Mariçiq.

Mariçiq theksoi se përkthimi i mirë dhe cilësor nënkupton transponim dhe zbatim të drejtë të legjislacionit të Bashkimit Evropian, kurse në të njëjtën kohë, kur vendi ynë të bëhet anëtar i tij i plotë, gjuha maqedonase do të gëzojë statusin e gjuhës së barabartë dhe zyrtare të Unionit.

Vitin e kaluar, resurset e brendshme, me të cilat disponon Sekretariati për Çështjet Evropiane, së bashku me persona të jashtëm që u angazhuan, përkthyen, rishikuan dhe lekturuan gjithsej 17,322 faqe, që është tregues i një historie suksesi, e cila doemos duhet të vazhdojë.

SÇE, për përkthimin e legjislacionit evropian, këtë vit ka lidhur Marrëveshje Kornizë me shtatë operatorë ekonomikë, të cilët kanë gjithsej 110 përkthyes dhe 35 lektorë. Sipas kësaj Marrëveshjeje Kornizë do të bëhet përkthimi nga anglishtja dhe frëngjishtja në maqedonisht, të njëjtat tekste do të rishikohen dhe lekturohen në aspektin gjuhësor. Pastaj, paketat do të dërgohen në SEP, kurse Departamenti për përgatitjen e versionit kombëtar të legjislacionit të BE-së e bën kontrollin e brendshëm të materialeve të dorëzuara. Sivjet për harmonizim me kornizën ligjore evropiane, janë paraparë gjithsej 20 milionë denarë me TVSH, me ç’rast pritet të bëhet përkthimi, revidimi gjuhësor dhe lektura e mbi 15 mijë faqeve autoriale.

“Legjislacioni i BE-së është instrument për integrim të suksesshëm, por miratimi i tij është kusht, jo lëndë negocimi me Bashkimin. Prandaj, përkthimi i legjislacionit të BE-së paraqet një detyrim që duhet të kryhet me cilësinë më të lartë dhe të bëhet në vazhdimësi. Gjuha maqedonase do të gëzojë statusin e gjuhës së barabartë dhe zyrtare të Unionit kur vendi të bëhet anëtar i tij i plotë. Përkthimi i akteve juridike të BE-së duhet të korrespondojë me standardet e gjuhës maqedonase, e megjithatë duhet të reflektojë frymën e euro-zhargonit, me çka do të sigurohet pasurimi, por edhe mbrojtja e vetë gjuhës, kurse kjo kërkon punë intensive, sidomos në vitet që po vijnë”, shtojnë nga SÇE.

Show More

Related Articles

Back to top button